Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore.
Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore.
Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren.
“Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së.
Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës.
Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.