Prezenca e OSBE-së në Shqipëri paraqet gjetjet paraprake të anketës për qeverisjen mjedisore dhe të vlerësimit të nevojave për trajnim
Qeverisja mjedisore efektive dhe funksionale mbështetet në ekspertizën e gjerë teknike të institucioneve dhe angazhimin proaktiv publik. Duke njohur aspektet e ndërlikuara të sfidave mjedisore, Prezenca e OSBE-së po punon me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të respektimit të standardeve mjedisore për të forcuar kapacitetet e tyre teknike për trajtimin e shkeljeve mjedisore dhe për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen mjedisore.
Në këtë kontekst, si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme, Prezenca e OSBE-së ka drejtuar punën për hartimin e dy dokumenteve të rëndësishme: një anketë e hapur për qeverisjen mjedisore dhe një vlerësim i nevojave për trajnim në të gjithë zinxhirin institucional që trajton shkeljet mjedisore.
Më 19 dhjetor 2023, Prezenca prezantoi dhe diskutoi gjetjet paraprake të të dyja raporteve me 30 pjesëmarrës nga sfera të ndryshme, si prokurorë, inspektorë mjedisorë, zyrtarë policorë, nëpunës civilë dhe organizata të shoqërisë civile. Përmes këtij diskutimi teknik, u shtjelluan dhe thelluan më tej gjetjet paraprake, të cilat do të orientojnë dhe mbështesin punën e Prezencës për hartimin e programeve të posaçme të avancuara për trajnimin e institucioneve, si dhe për të ndërmarrë fushatat e ndërgjegjësimit publik për mjedisin.
Në hapje të veprimtarisë, kreu i Departamentit për Qeverisjen në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Aleksandar Maskovic, tha: “Temat e diskutuara këtu do të ndihmojnë për të formësuar programet e ardhshme të trajnimit dhe, gjithashtu, do të kontribuojnë në zhvillimin e një strategjie të fuqishme dhe të bashkërenduar midis të gjitha palëve të interesuara.”
Anila Leka, prokurore e Prokurorisë së Përgjithshme, nënvizoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve të prokurorëve për shkeljet mjedisore, në përputhje me përpjekjet për rishikimin e të gjithë kodit penal të Shqipërisë.
Anketa mbi qeverisjen mjedisore tregoi se 86% e të anketuarve kanë interes të lartë për të kontribuar për qeverisjen mjedisore në Shqipëri. Ndër të tjera, anketa trajtoi çështje të tjera të rëndësishme, si kryqëzimi i shkeljeve mjedisore me korrupsionin dhe gjininë. Rezultatet e sondazhit do të mbështesin Prezencën dhe palët e tjera të interesuara për të hartuar dhe zhvilluar fushata mjedisore të posaçme.
Vlerësimi i nevojave për trajnim nënvizon rëndësinë e programeve sistematike të trajnimit për nëpunësit civilë të institucioneve që merren me shkeljet mjedisore. Ai hedh dritë mbi situatën aktuale, identifikon boshllëqet në njohuri dhe aftësi dhe përfundimisht u hap rrugën ndërhyrjeve strategjike që do të fuqizojnë palët përkatëse të interesuara në përpjekjet e tyre për të luftuar me efektivitet shkeljet mjedisore.
Anketa dhe vlerësimi i nevojave për trajnim janë zhvilluar në kuadër të projektit me financim të jashtëm “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe mbështetur nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë.