Në kërkim të armëve të zjarrit: Prezantojmë gruan e parë trajnere të qenve të policisë
Pranë K9 partneres së saj të paduruar, qen i racës Bariu Belg (Malinois) 5 muajshe, e quajtur Ada, Kristina Shikova do të punojë për detektim jashtë në terren që nga fillimi i verës. Kristina po trajnohet për t’u bërë trajnere e qenve të policisë, duke e bërë atë gruan e parë në këtë rol në Maqedoninë e Veriut.
Përderisa Ada kupton si të ndjekë urdhrat e Kristinës me anë të topit, aktualisht ajo është në procesin e të mësuarit si të nuhasë makinat për qëllime të detektimit. Brenda vetëm disa muajve, Ada do të mund të kryejë detyrat e nuhatjes me saktësinë më të madhe, veçanërisht për zbulimin e armëve të zjarrit dhe municioneve.
Përpjekjet e Misionit të OSBE-së në Shkup për të rritur kapacitetet e zbulimit të Njësisë së qenve të policisë janë pjesë e përpjekjeve për të forcuar kontrollin e armëve në Evropën Juglindore. Avancimi i kapaciteteve detektuese kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në qëllimin më të gjerë për rritjen e sigurisë dhe reduktimin e përhapjes së armëve në rajon.
Kristina ka gjashtë vite që shërben në polici, por që kur është punësuar, ka shprehur dëshirë që të punojë në Njësinë e qenve të policisë. Kur u lirua një vend pune, ajo aplikoi menjëherë. "Akoma më duket e pabesueshme, por e shoh më shumë si kënaqësi sesa si punë. Gjithmonë kam dashur të punojë rreth kafshëve," thotë Kristina, duke rikujtuar kur mori lajmin e mirë për emërimin e saj në janar të këtij viti.
Trajnimi i saj aktual përfshinë socializimin, dëgjueshmërinë, kontaktin me qenin e caktuar policor, komponentët teorike dhe praktike, si dhe detyrat fizike. Kristina beson se do të mësoj shumë gjatë punës së saj dhe synon të shkëlqejë si trajnere, duke u avancuar në nivelin e radhës për t’u bërë instruktore, të ndihmojë kolegët e ri në mënyrë aktive, si dhe të veproj si shembull për ta.
Duke u mbështetur në arritjet e saj, Kristina angazhohet për diversitet më të madh në organet për zbatimin e ligjit dhe nevojën për më shumë gra në forcat policore, duke njohur rolin e tyre në ndërtimin e besimit në komunitet. Ajo inkurajon më shumë gra të aplikojnë për të punuar në Njësinë e qenve të policisë, pasi njeh shumë prej tyre që kanë dëshirën dhe përkushtimin e duhur.
Misioni në mënyrë aktive promovon barazinë gjinore përmes nismave për mbështetjen e grave në organet për zbatimin e ligjit, duke ofruar trajnime dhe mbështetje, si dhe duke avokuar për përfshirjen e grave në forcat policore. Që nga viti 2018, Misioni ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë së Veriut për të zbatuar punën policore me ndjeshmëri gjinore përmes Programit gjithëpërfshirës të mentorimit gjinor.
Rrugëtimi i Kristinës, së bashku me K9 partneren e saj Ada, shërben si një frymëzim për gratë që konsiderojnë karrierë në organet për zbatimin e ligjit dhe Njësinë e qenve të policisë – një kauzë që Misioni i OSBE-së në Shkup e mbështet me krenari.
Mbi përpjekjet për të rritur kapacitetet e AVL-ve për detektim
Rritja e kapaciteteve detektuese është pjesë e projektit jashtë-buxhetor të Misionit, "Ndihma autoriteteve kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe të keqdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (ALV)".I financuar nga Belgjika, BE, Franca, Gjermania, Norvegjia, Sllovakia dhe SHBA, projekti ka arritur progres të konsiderueshëm në rritjen e kapaciteteve të detektimit të Njësisë së qenve të policisë në vend.
Mësoni më shumë rreth projektit të AVL-ve këtu.