Misioni i OSBE-së në Shkup mbështet autoritetet në zhvillimin e platformës për të trajtuar më mirë sfidat e migracionit
SHKUP, 13 mars 2018 - Përpilimi i një platforme për koordinim dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet organeve për zbatimin e ligjit dhe të gjitha agjencive të involvuara qeveritare është çelësi për trajtimin më të mirë të situatave të mundshme të krizave të migracionit, thanë pjesëmarrësit gjatë diskutimit në tryezën e rrumbullakët të Misionit të OSBE-së, të mbajtur sot në Shkup.
Në këtë diskutim morën pjesë rreth 35 përfaqësues nga institucione të ndryshme shtetërore, agjenci kombëtare, organizata ndërkombëtare dhe OJQ, të cilët prezantuan rekomandimet e tyre për Planin kombëtar gjithëpërfshirës të emergjencave lidhur me migracionin.
“Ne mbetemi të përkushtuar që të ndihmojmë vendin të përgatitet për çdo krizë potenciale të migracionit, duke ndihmuar autoritetet kombëtare në hartimin e një plani të emergjencave bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe udhëzimet,” tha Maria de Benito Rodrigues, Këshilltare për Migracionin / Refugjatët në Misionin e OSBE në Shkup.
Magdalena Nestorovska, sekretare shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, tha: “Flukset e migracionit përgjatë viteve dhe krizat që rrjedhin nga lëvizjet e tilla kanë treguar se është vërtet e vështirë, pothuajse e pamundur të gjejmë një përgjigje të unifikuar dhe të standardizuar për të gjitha flukset e migracionit, sepse çdo lëvizje e njerëzve dhe çdo krizë eventuale është specifike dhe karakterizohet nga elementë dhe sfida të ndryshme që janë karakteristike vetëm për atë krizë.”
“Unë jam veçanërisht e kënaqur që Misioni i OSBE-së në Shkup ka organizuar këtë tryezë të rrumbullakët, ku të gjithë mund të diskutojmë dhe zhvillojmë një Plan kombëtar më të mirë dhe më gjithëpërfshirës të emergjencave mbi migracionin, bazuar në përvojën që kemi fituar gjatë viteve.”
“Trajtimi ynë i suksesshëm i krizës së migracionit, i cili u konfirmua nga një numër raportesh ndërkombëtare, nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e madhe të donatorëve,” tha Elena Grozdanova, sekretare shtetërore në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
“Sigurisht, për më shumë se një milion njerëz që kaluan përmes vendit tonë, sot mund të konkludojmë se mbrojtja dhe mbështetja humanitare që iu ofruan atyre ishin në një nivel të kënaqshëm.”
Diskutimi i sotëm është pjesë e përpjekjeve të Misionit për të promovuar përdorimin e qasjes së bazuar tek të drejtat e njeriut dhe të viktimave kundrejt sfidave të paraqitura nga flukset e migracionit.