Edis Galushi: “Dallimet janë pjesë e jona”
Kjo është storia e Edis Galushit, pjesëtar i komuniteti rom nga komuna e Prizrenit. Storia është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
E takuam Edis Galushin në këndin për kafe të një librarie të qetë në Prizren. Një nga gjërat e para që na tha ishte se në Prizren, për dallim prej vendeve tjera në Kosovë dhe Evropë, romët përjetuan rilindjen duke iu falënderuar intelektualëve rom dhe palëve tjera.
Në vitin 1989, në të njëjtin vit kur u lind Edisi, u themelua Teatri Rom në Prizren si forum për diskutim të çështjeve sociale dhe transformimin e tyre në shfaqje.
“Teatri i kontribuoi integrimit të romëve të Kosovës në shoqëri,” thotë Edisi. “Publiku i ekspozohej sfidave me të cilat përballej komuniteti. Kjo kishte rëndësi të madhe atëherë, dhe ka rëndësi të madhe sot.”
Edisi thotë se kur bëhet fjalë për gjuhën rome, gjendja nuk duket edhe aq mirë. “Përkundër cilësimit si gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren gjuha rome ende nuk njihet.”
Sidoqoftë, kjo nuk e shkurajoi atë që të angazhohej në promovimin e kulturës dhe gjuhës së tij. Ai është përkthyes profesional për gjuhën rome, duke qenë se ka diplomë master në gjuhë angleze dhe mësimdhënie të gjuhës angleze.
“Jam rritur në kontekstin e veçantë kulturor të Prizrenit dhe kam vendosur t’i bashkohem Teatrit Rom në moshën 15 vjeçare,” thotë Edisi. Një dekadë më vonë, Edisi filloi të shkruaj monodrama - një nga zhanret më të vështira për t’u luajtur në teatër.
“Monodrama ime e parë është titulluar Panta Rhei (‘çdo gjë rrjedh’ në greqishten antike).” Ishte një pasqyrim historik i rrugëve të ndryshme të migrimit që janë marrë para gati një mijë viteve nga populli rom nga ajo që sot njihet si pjesa verilindore e Indisë,” shpjegon Edisi.
Vepra vinte në pah stereotipat më të zakonshëm për romët. Për të përgaditur skenën për narracion të historisë së romëve u përdorën gjësende të ndryshme (për shembull, veglat e farkëtarit dhe instrumentet muzikore), të cilat lidhen me fiset rome.
“Vepra përfundon me vënien në zjarr të librave,” thotë Edisi. Është simbolike. Për romët gjithmonë është shkruar nga jo-romët, duke ushqyer kështu, me qëllim apo rastësisht, paragjykimet shekullore. Kur na portretizojnë, neve asnjëherë nuk na pyesin. Mendova se ishte me rëndësi ta zbuloja këtë të vërtetë. Të paktën të vërtetën time,” thotë ai.
Arsimi duhet të jetë në rend të parë
Edisi gjithnjë e ka çmuar shumë arsimin. Gjatë shkollës së mesme, ai e mësoi rrjedhshëm gjuhën boshnjake krahas gjuhës rome, shqipe dhe asaj angleze. Ai i zhvilloi njohuritë e gjuhës angleze gjatë një vizite në SHBA me Programin për Zhvillim të Lidershipit për Evropën Juglindore dhe më pas ai mori diplomë baçelor në gjuhë dhe letërsi angleze, duke specializuar në përkthim, në Universitetin e Prishtinës.
Edisi po ashtu vijoi universitetin Vilnius në Lituani, në kuadër të programit ERASMUS dhe përfundoi studimet Master në Universitetin e Zagrebit në gjuhë angleze, duke specializuar në mësimdhënien e gjuhës angleze.
“Prindërit na kanë shtyrë shumë mua dhe motrat e vëllezërit për të vazhduar studimet,” thotë ai. “Na kanë inkurajuar të arrijmë shumë. Studimet universitare ishin qëllimi ynë. Por na kanë mësuar edhe për rëndësinë e përkrahjes së njëri tjetrit Vëllai im, i cili shkoi në Gjermani para konfliktit të vitit 1999, siguronte para për tërë familjen si dhe për shkollim,”
Duke e kujtuar kohën e tij në Lituani, Edisi na tregon një anekdotë interesante. Sipas njërit nga profesorët e tij, ai ishte i pari rom që vijonte studimet në Universitetin e Vilniusit. “Ka shumë gjasa që unë thjesht isha i pari që flisja hapur për kulturën time pa turp e me vetëdijesim.”
Pasuria e kulturës rome
Kur flet me Edisin, nuk mund të mos i vëresh dhe vlerësosh njohuritë e gjera që ai ka për historinë dhe kulturën rome. Përveç që është jashtëzakonisht magjepsëse dhe e pasur, historia e komunitetit rom ka kuptime më të thella.
Në rastin e Edisit, kjo njohuri ka ofruar vetëdije, gjë e cila e ka lejuar atë që gradualisht të dekonstruktojë paragjykimet shekullore, imazhet e shtrembëruara dhe historinë e heshtur të cilën as vet romët nuk mund ta hiqnin.
“Për ta larguar këtë ‘barrë’ dhe për të luftuar kundër përjashtimit social, është thelbësor ndërgjegjësimi i komunitetit për të kaluarën dhe të tashmen,” thotë ai. “Në anën tjetër, vetëdija e ulët mund të jetë një nga arsyet që romët në Ballkanin Perëndimor janë paragjykuar përgjatë historisë, posaçërisht gjatë konflikteve të armatosura.
Për Edisin, të shikosh thellë në historinë e komunitetit dhe të kultivosh karakteristikat kulturore nuk do të thotë shpërfillje apo mosrespektim i të tjerëve. “Identiteti im është më shumë se ai i të qenit pjesëtar i komunitetit rom. Unë jam dikush që ka përfunduar shkollën e mesme në gjuhën boshnjake dhe jam rritur krah për krah me komunitetet e tjera që jetojnë në Prizren, duke përqafuar kështu kulturën dhe gjuhën e tyre gjegjëse. “Dallimet janë pjesë e jona”, thotë ai me krenari.
Kultura dhe vetëdijesimi si mjete për të lulëzuar dhe për të gjetur gjëra të përbashkëta me të tjerët e jo për të krijuar ndasi; arsimimi për të mundësuar një jetë me dinjitet dhe të fuqizuar, si dhe kultivimi i mendjes së hapur dhe kureshtjes për diversitet - kjo është ajo çfarë na mësoi Edisi gjatë bisedës sonë në atë librari të qetë në Prizren. Dhe për këtë i jemi mirënjohës.