Misioni i OSBE-së përmbyll programin trajnues për komandë operative për zyrtaret policore të Kosovës
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli programin trajnues mbi detyrat e komandës operative për zyrtare të larta të policisë së Kosovës me një trajnim praktik të mbajtur nga 29 prilli deri më 2 maj 2018 në Policinë e Uellsit Jugor (SWP) në Kardif, Mbretëri e Bashkuar.
Programi, i hartuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Grave të Policisë së Kosovës, është përbërë nga tre module: përmirësimi i aftësive menaxheriale dhe udhëheqëse në 2016; detyrat e komandantëve operativë në 2017; dhe trajnimi praktik në Mbretërinë e Bashkuar. E tërë paketa trajnuese kishte për qëllim fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës duke i zhvilluar aftësitë dhe kompetencat e tyre për pozita menaxheriale dhe udhëheqëse.
Trajnimi praktik pesë-ditor në MB iu dha mundësi 14 zyrtareve policore pjesëmarrëse, të cilat kishin përfunduar tashmë dy modulet e para në Kosovë, për të parë nga afër se si SWP zbaton parimet e modeleve të vendimmarrjes për komandantët operativë dhe se si merren vendimet strategjike operative dhe taktike komanduese. Ato gjithashtu mësuan se si e ruan SWP besimin e komuniteteve të ndryshme lokale dhe se si dizajnohen e më pas delegohen planet operative tek policia gjatë menaxhimit të incidenteve të ndryshme kritike.
“Ndonëse numri i grave që po i bashkohen sektorit të sigurisë është në rritje, ato ende nuk janë të përfaqësuara sa duhet në pozita të larta komanduese policore,” tha Shpresa Muharremi nga Misioni i OSBE-së. “Duke i ndihmuar ato në zhvillimin e aftësive menaxheriale dhe duke e mundësuar vëzhgimin nga afër të praktikave më të mira ndërkombëtare, ne kontribuojmë në zhvillimin e një mjedisi modern policor që do t’i plotësojë nevojat dhe prioritetet e popullsisë, të cilës i shërben.”
Gjatë trajnimit praktik, pjesëmarrëset u mentoruan nga zyrtare të larta policore të SWP dhe u vendosën në qarqe të ndryshme policore të Uellsit Jugor, e kjo mundësoi rrjetëzimin dhe siguroi vazhdimësi të shkëmbimit të njohurive, sukseseve dhe sfidave edhe pas përfundimit të trajnimit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ofron rregullisht trajnime të avancuara dhe të specializuara për agjencitë e zbatimit të ligjit me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve të tyre.