Misioni i OSBE-së nxitë tolerancën kulturore dhe gjuhësore në Kosovë
Rreth 2,500 të rinj nga pjesë dhe komunitete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur me 20 gusht në parkun e Gërmisë në Prishtinë për një ngjarje të rrallë. Misioni i OSBE-së në Kosovë në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe ambasadën norvegjeze organizuan një koncert me rok bende nga Kosova dhe rajoni me këngë në gjuhë të ndryshme.
Interpretuesit kryesor të mbrëmjes ishin ‘Dubioza Kolektiv’ nga Sarajeva të cilët kanë kënduar në gjuhën boshnjake si dhe grupi ‘Jericho’ nga Prishtina të cilët kanë kënduar në gjuhën shqipe.
Ky ishte koncerti i pari i kësaj natyre dhe madhësie që u mbajt në Prishtinë që nga konflikti i vitit 1999, dhe është organizuar me qëllim që të ndihmoj në përmirësimin e tolerancës kulturore dhe gjuhësore në mes të rinjve nga e mbarë Kosova.
‘Live’ për herë të parë
Misioni i OSBE-së monitoron respektimin e të drejtave të njeriut dhe raportin e marrëdhënieve ndër-etnike. Në vlerësimin e fundit të Misionit për të drejtat e njeriut thuhet se nuk ka përpjekje të bashkërenduara për të përmirësuar komunikimin ndër-etnik ose për të ofruar aktivitete të përbashkëta të mjaftueshme, dhe se pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme nuk mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit.
“Kjo ka qenë njëra ndër arsyet që na ka shtyrë të organizojmë këtë koncert,” thotë Nikola Gaon, zëdhënës i Misionit të OSBE, i cili së bashku me Valbona Shujakun nga departamenti për kulturë i komunës së Prishtinës kanë iniciuar idenë për mbajtjen e koncertit.
“Qëllimi ynë ka qenë të krijojmë një mundësi për të rinjtë e komuniteteve të ndryshme që të socializohen, të kënaqen dhe t’i ekspozohen muzikës dhe këngëve të interpretuara në gjuhët e komuniteteve tjera. Kemi dashur të ndihmojmë në largimin e ndarjeve gjuhësore”.
Për ata që nuk e kanë gjuhë amtare, dallimi midis gjuhës boshnjake, serbe dhe kroate vështirë vihet re. Për Elvirën, shqiptare nga Prishtina, ngjarja ka qenë më mirë se që ka pritur. “Kjo ka qenë hera e parë që kam dëgjuar muzikë ‘live’ në gjuhë sllave,” thotë ajo. “Nuk i kam kuptuar vargjet, por bendi ka pasur një energji pozitive dhe jemi kënaqur gjatë gjithë mbrëmjes”.
Dubioza Kolektiv është grup i mirënjohur në vendet e rajonit. Këngët e tyre flasin për paqe dhe tolerancë dhe kritikojnë nacionalizmin, korrupsionin dhe padrejtësinë. Këngët e Jerichos kanë porosi të ngjashme.
Sipas Shujakut, Dubioza është një ndër grupet e rralla që këndon në gjuhën boshnjake e që njihet edhe në Kosovë, kurse Jericho është një ndër grupet e pakta që këndon në gjuhën shqipe e që ka udhëtuar nëpër rajon dhe që ka interpretuar në festivalet dhe shfaqjet teatrale rajonale.
“Rreth 2,500 njerëz kanë marrë pjesë në koncert dhe janë kënaqur. Askujt nuk i ka interesuar në cilën gjuhë kanë kënduar grupe,” thotë ajo.
“Koncert shumë i mirë”
Një i ri nga Osojani, - fshat i banuar me Serbë në Kosovën perëndimore, thotë se koncerti ka qenë shumë i mirë. “Unë jam adhurues i Dubiozës dhe kam qenë i lumtur që kam pasur rastin t’i dëgjoj ‘live’ në Prishtinë.” Ai thotë se është kënaqur edhe gjatë pjesës tjetër të koncertit kur grupe dhe muzikantë tjerë kanë interpretuar në gjuhën shqipe. “Nuk i kam kuptuar vargjet, por gjithsesi jemi kënaqur”.
Para koncertit, Misioni dhe komuna kanë shpërndarë bileta falas për koncert dhe kanë organizuar transport për më shumë se 300 njerëz nga e tërë Kosova, duke ua mundësuar të gjithë të interesuarve, përfshirë edhe ata nga zonat e largëta, që ta ndjekin koncertin.
“Ne e kemi promovuar koncertin edhe përmes programeve në radio të cilat transmetojnë në gjuhën shqipe dhe serbe. Ata kanë emituar këngët e Dubiozës dhe Jerichos, dhe kështu u kemi dhënë dëgjuesve më shumë informata për grupet,” thotë Gaon.
“Kemi sjellë të rinj të komuniteteve të ndryshme në një ngjarje ku kanë mundur të dëgjojnë gjuhët e njeri-tjetrit, të kënaqen me shijen e njëjtë të muzikës dhe t’i lënë anash dallimet”.