Misioni i OSBE-së promovon punësimin e njerëzve me aftësi të kufizuara
Afërdita Gashi, nënë e dy vajzave, ngadalë përmbyll ditën e tretë dhe të fundit të punës në departamentin e arsimit të komunës së Lipjanit në Kosovën qendrore. Ajo është një ndër 80 personat me aftësi të kufizuara që kanë qenë pjesë e një iniciative të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për të demonstruar shkathtësitë e tyre te punëdhënësit potencial nga data 17 deri me 19 tetor të vitit 2011.
“Këto janë tri ditët e vetme në jetën time që kam punuar,” thotë Afërdita. “Kam kaluar shumë mirë. Njerëzit në departamentin komunal të arsimit më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë respektuar,” thotë ajo.
Stereotipet dhe diskriminimi
Aftësia e kufizuar e Afërditës nuk e pengon atë të jap kontribut të plotë në ndonjë vend të punës, por në një shoqëri me stereotipe të forta dhe me nivel të papunësisë të vlerësuar deri në 40 %, njerëzit me aftësi të kufizuara të shumtën e rasteve anashkalohen si kandidatë.
“Diskriminimi dhe mungesa e mundësive të barabarta është fati i njerëzve me aftësi të kufizuara,” thotë Afrim Maliqi nga OJQ-ja lokale HandiKOS. “Janë rreth 150,000 njerëz në Kosovë me aftësi të kufizuara të llojeve të ndryshme, por ata kanë të përbashkët stigmën dhe diskriminimin. Qasja e tyre në punë mbetet sfidë.”
E martuar në moshën 22 vjeçare, burri i Afërditës është po ashtu me aftësi të kufizuar. Ata dhe dy vajzat e tyre jetojnë me ndihmë sociale prej 90 eurove në muaj. Kështu, Afërdita është munduar t’i shfrytëzoj këto tri ditë pune maksimalisht. “Jam takuar me disa drejtorë të shkollave dhe jam munduar të loboj për veten time,” thotë ajo. “Kam të përfunduar vetëm shkollës e mesme, por jam e gatshme të mësoj. Një vend pune është dëshira ime e vetme.”
Në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme
Valbona Dermaku, këshilltare për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE-së, shpjegon punën e Misionit: “Tetori është muaji i mundësive profesionale për personat me aftësi të kufizuara. Vitin e kaluar e kemi shënuar duke punësuar persona me aftësi të kufizuara për një ose dy ditë kryesisht në OSBE.”
Këtë vit, OSBE-ja ka zgjeruar aktivitetet e saj dhe ka përfshirë edhe institucionet vendore në projekt. “Kemi dashur të lobojmë te sa më shumë punëdhënës potencial që është e mundur. Jemi bërë bashkë me institucionet vendore dhe kemi arritur të punësojmë më shumë persona për të paktën tri ditë nëpër ministri dhe komuna.”
Kurse tani, Misioni është përqendruar të ndihmoj që korniza ligjore të ketë parasysh të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Misioni ka qenë pjesë e grupit punues që ka shqyrtuar ligjin për personat e verbër dhe me pamje të dobësuar, kurse aktualisht është duke ndihmuar shqyrtimin e një programi për përdorimin e gjuhës së shenjave në institucionet e Kosovës.
“Legjislacioni që përcakton numrin minimal për punësim të personave me aftësi të kufizuara në shërbimin civil, dhe që obligon institucionet qendrore dhe lokale të kujdeset për nevojat e tyre, është kyç për të inkurajuar përfshirjen e tyre në shoqëri,” thotë Valbona.
Mundësi të reja
Armend Ademi, një 24 vjeçar i shurdhër nga Prishtina, thotë se zbatimi i programit për gjuhën e shenjave në institucionet e Kosovës do ta ndihmonte atë në jetën e përditshme. “Aktualisht komunikimi është problem për mua. Nëse më duhet të shkoj në komunë për ndonjë dokument, ose të vizitoj mjekun, duhet të kem patjetër me vete dikë që do të interpretoj për mua,” thotë ai.
Ademi është një ndër 20 personat që ka punuar në OSBE për tri ditë, dhe ka një plan për profesionin e tij të ardhshëm. “Dua të bëhem asistent në shkollën speciale për të shurdhër në Prizren, ku jam shkolluar vetë.” Ai thotë se çdo klasë duhet të ketë një asistent të shurdhër për t’i ndihmuar profesorët që nuk e dinë gjuhën e shenjave aq mirë sa për të përçuar mesazhin e tyre te studentët.
Dermaku thotë se është e vetëdijshme se tri ditë punë është periudhë shumë e shkurtër për të pasur ndikim në jetën e personave me aftësi të kufizuara. Por, ajo zotohet për përkrahje të mëtutjeshme. “Do të vazhdojmë tu ndihmojmë në vitin 2012 duke iu ofruar trajnime se si të shkruajnë CV-në, si të përgatiten për intervistë, si të kenë shkathtësi të mira prezantimi dhe si të kërkojnë punë.”
“Shqyrtimi i legjislacionit dhe sigurimi se ai reflekton nevojat e personave me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë ndër prioritetet tona,” përfundon ajo.
Nga Mevlyde Salihu