Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë bën thirrje për standarde profesionale në raportimet e mediave
PRISHTINË, 20 janar 2017 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, përsëriti sot nevojën kritike që mediat në Kosovë ta ruajnë gazetarinë etike dhe standardet profesionale, si dhe të përmbahen nga publikimi i materialeve që mund të shkaktojnë tensione ose minojnë padrejtësisht integritetin personal dhe profesional të individëve.
Duke reaguar ndaj një artikulli të publikuar së fundmi në faqen e internetit të transmetuesit publik RTK, Braathu tha: “U bëj thirrje të gjithë gazetarëve dhe redaktorëve që të sigurojnë në punën e tyre respekt për të vërtetën faktike dhe të mbështeten në informata të besueshme. Mediat e shkruara, ato online, radiot, dhe televizionet, në veçanti transmetuesi publik, kanë për obligim të dëgjojnë dhe të përfaqësojnë të gjitha anët,” tha Braathu.
“Gazetaria profesioniste është gurthemel i demokracisë dhe stabilitetit në çdo shoqëri. Ky nocion është posaçërisht i rëndësishëm në klimën politike pas ngjarjeve të fundit,” shtoi Braathu.