Ndërtimi i kapaciteteve zgjedhore në Kosovë – përfaqësim i shumë zërave
Valdete Daka është fytyrë e mirënjohur në Kosovë ndonëse ajo nuk është as artiste e as politikane. Znj. Daka është gjykatëse e Gjykatës Supreme – e para dhe e vetmja femër që udhëheq një agjenci të pavarur në Kosovë. E emëruar në vitin 2010 si kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), organit përgjegjës për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Kosovë, znj. Daka u ballafaqua me shumë sfida.
Në katër vitet e fundit, KQZ-ja i ka organizuar 11 palë zgjedhje të rregullta dhe të parakohshme, balotazhe dhe zgjedhje të përsëritura dhe të gjitha janë vlerësuar me notë pozitive nga organizatat e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Një revistë kosovare e nderoi znj. Daka me çmimin “Gruaja e vitit” për vitin 2013.
“Kur kthehem prapa dhe mendoj, mund të them që i kam kaluar vitet më të vështira në përvojën time të punës,” thotë znj. Daka. “KQZ sot ka avancuar në kuptim profesional dhe ka shënuar përparim të madh. Ne jemi në pozitë të barabartë me organet e tjera zgjedhore në rajon, dhe kjo është diçka që më bën krenare”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e themeloi KQZ-në në vitin 2000. Ai fillimisht u kryesua nga shefat e Misionit të OSBE-së deri në vitin 2008, kur institucionet e Kosovës morën mbi vete përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve. E njëjta ndodhi edhe me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që trajton ankesat përkitazi me zgjedhjet. Që nga ajo kohë OSBE ka mbështetur dhe ka këshilluar këto dy institucione, që gjithashtu njihen si organe për menaxhimin e zgjedhjeve.
“Bashkëpunimi me Misionin e OSBE-së në Kosovë ka qenë i shkëlqyeshëm. Ne kemi arritur shumë gjëra bashkë. Kanë mbetur edhe shumë sfida, por duket se e kemi pasur një rrugëtim të suksesshëm deri këtu,” thotë znj. Daka.
Bartja e përgjegjësisë – bartje e njohurive
Përfshirja e Misionit në proceset zgjedhore u zhvillua në tre faza. Në fazën e parë, Misioni kishte Departamentin e vet të Zgjedhjeve që ishte përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në bashkëpunim me KQZ-në dhe Sekretariatin e tij. Gjatë kësaj periudhe (2000-2007), Misioni organizoi pesë raunde të zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme, dhe në të njëjtën kohë punoi në trajnimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve vendore që gradualisht do ta merrnin përsipër këtë përgjegjësi.
Bartja e përgjegjësisë nënkuptonte bartje të njohurive dhe kjo është ajo për që e kemi bërë që nga fillimi.
Bujar Basha, zëvendëskryesues nacional i zgjedhjeve, Misioni i OSBE-së në Kosovë
Faza e dytë u zhvillua mes viteve 2008 dhe 2014. “Gjatë kësaj periudhe e kemi këshilluar KQZ-në dhe kemi ofruar mbështetje dhe ekspertizë sipas nevojave. Ne jemi ulur bashkë çdo ditë dhe kemi punuar në aspekte të ndryshme e të rëndësishme zgjedhore, dhe këto përpjekje të përbashkëta me sa duket kanë qenë të suksesshme,” thotë z. Basha.
Puna e KQZ është vlerësuar pozitivisht në disa vitet e fundit. “Ne tani jemi në gjendje ta zvogëlojmë edhe më tej mbështetjen tonë për organet e menaxhimit të zgjedhjeve për të vazhduar me fazën e tretë. Nga viti 2015 e tutje, do të përqendrohemi në rishikimin aktiv të performancës dhe integritetit të procesit zgjedhor. Por në vend që Misioni ta bëjë një gjë të tillë, do të punojmë me OJQ-të për t’ua kaluar atyre këtë detyrë dhe për t’i aftësuar ato në mënyrë që të kontribuojnë në ndërtimin e llogaridhënies së institucioneve të besueshme zgjedhore.”
OJQ-të marrin rol kryesor
Emërimi i komisioneve komunale zgjedhore, krijimi i listës së votuesve, fushatat e vetëdijesimit, ose mbikëqyrja e zgjedhjeve – të gjitha këto janë aspekte të rëndësishme të organizimit të zgjedhjeve që po diskutohen në punëtoritë që Misioni po i mban me OJQ-të.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbajtur disa punëtori me dhjetë OJQ të përzgjedhura. Ekspertët e OSBE-së kanë paraqitur pasqyrë të hollësishme të standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe kornizën ligjore për zgjedhjet në Kosovë në këto punëtori, të cilat do të vazhdojnë edhe në vitin 2015, dhe do të përqendrohen në ankesat dhe parashtresat zgjedhore, financimin e partive politike si dhe funksionet dhe mandatet e të gjitha organeve gjegjëse.
Përveç ekspertizës së brendshme, nga data 8 deri 12 dhjetor 2014 Misioni solli trajnerë ndërkombëtarë në Prishtinë për të mbajtur programin pesëditor të trajnimit të quajtur Ndërtimi i Burimeve në Demokraci, Qeverisja dhe Zgjedhjet (BRIDGE) për 20 përfaqësues të OJQ-ve. BRIDGE është program zhvillimi profesional, i njohur në shkallë ndërkombëtare, që është përgatitur për administruesit e zgjedhjeve.
“Qëllimi ynë është që të shtojmë njohuritë e OJQ-ve për çështjet zgjedhore ashtu që ato të mund të mbikëqyrin punën e organeve për menaxhimin e zgjedhjeve dhe ta përkrahin reformën e ardhshme zgjedhore,” thotë Basha. “Është e rëndësishme që OJQ-të të ruajnë legjitimitetin e tyre dhe të jenë të paanshme gjersa përfaqësojnë zërin e shumë qytetarëve dhe kjo është ajo në çka jemi përqendruar.”
“Monitorimi është i rëndësishëm për shkak se zgjedhjet janë gurthemel i demokracisë,” thotë Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim. “Sa më shumë që mësoj për sfidat zgjedhore dhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohen organet për menaxhimin e zgjedhjeve, aq më shumë e kuptoj përse duhet të qëndroj i angazhuar. Çelësi në arritjen e suksesit janë monitoruesit dhe aktivistët të cilët shihen nga të gjitha palët si të paanshëm dhe ky është synimi që e kemi para nesh.”
Dhe derisa shoqëria civile të jetë e gatshme për të marrë përsipër plotësisht rolin e monitorimit të zgjedhjeve, Misioni do të vazhdojë me monitorimin e organeve për menaxhimin e zgjedhjeve dhe rishikimin e punës së tyre.
“Ne ende na nevojitet mbështetja profesionale e OSBE-së, por ajo duhet të jetë më specifike. Fushat e mundshme të mbështetjes janë zhvillimi i akteve nënligjore të KQZ-së dhe i rekomandimeve të bazuara në punën e monitoruar,” thotë znj. Daka.