Transmetuesi publik shqiptar paraqet projektstatutin dhe parimet editoriale, të hartuara me ndihmën e Prezencës së OSBE-së dhe Bashkimit Evropian të Transmetuesve
Më 18 nëntor 2016, transmetuesi publik shqiptar organizoi një takim konsultues për projektstatutin e tij të ri me anëtarë të Komisionit kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe organizata të medias. Në takim, u paraqit edhe një draft përfundimtar i parimeve editoriale për transmetuesin publik, të parat në historinë e tij, përpara se të miratohen nga Këshilli Drejtues i Radio-Televizionit Shqiptar.
Statuti i Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH) u hartua në bazë të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe ka për objekt rregullimin e veprimtarisë së transmetuesit publik. Statuti duhet të miratohet në parlament përpara se të hyjë në fuqi.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian të Transmetuesve (EBU), dhanë ekspertizë në hartimin e projektstatutit dhe të parimeve editoriale.
Në qershor të vitit 2015, Prezenca, EBU-ja dhe RTSH-ja nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta në mbështetje të shndërrimit të RTSH-së në një transmetues publik llogaridhënës, të qëndrueshëm, profesional dhe të pavarur editorialisht.