Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i dhuron literaturë akademike Qendrës së Formimit Policor
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri më 4 Dhjetor 2014 i dhuroi një sasi të madhe literature akademike Qendrës së Formimit Policor. Literatura e dhuruar përfshin botime të kohëve të fundit në shkencat e kriminologjisë, psikologjisë, të drejtës penale, procedurës penale, si dhe në fusha të tjera me interes për forcat e rendit, duke qenë parashikuar të shërbejë si bërthama e bibliotekës së institucionit të arsimit të lartë që do të ngrihet mbi bazën e Qendrës së Formimit Policor.
Dhurimi i literaturës nuk është një ngjarje e shkëputur, por u zhvillua në kuadrin e angazhimit strategjik afatgjatë të Prezencës për rritjen e profesionalizmit dhe të efikasitetit të Policisë së Shtetit. Prezenca, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, do të vazhdojë t’i ofrojë Policisë së Shtetit asistencë me trajnime, duke u përqendruar në ata sektorë ku nevojitet fuqizimi i mëtejshëm i kapaciteteve institucionale dhe operative.
Megjithatë, Prezenca po e vë gjithnjë e më shumë theksin tek qëndrueshmëria dhe drejtimi vendor i angazhimeve trajnuese, me qëllim që të nxitet zhvillimi i një sistemi akademik të akredituar në kuadrin e institucioneve shqiptare të sigurisë, i cili ofron trajnime cilësore për Policinë e Shtetit dhe për institucione të tjera të sigurisë kombëtare.
Muajt e fundit, Prezenca ka mundësuar vizitat në Shqipëri të disa ekspertëve ndërkombëtarë në fushën e edukimit policor. Falë këtyre ekspertëve, Policia e Shtetit u njoh me sistemet akademike të policive evropiane, ndërsa personeli i Qendrës së Formimit Policor u njoh me procedurat e planifikimit sa i përket ngritjes së strukturës organizative, programeve studimore dhe procedurave të akreditimit të një institucioni të arsimit të lartë policor.