Thirrje për profesionistët e rinj, studentët dhe të sapodiplomuarit nga Ballkani Perëndimor për të aplikuar në programin e bursave OSBE 2018 në Akademinë Evropiane të Novacionit
VJENË, 3 maj 2018 – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) shpall sot Thirrjen për Aplikime për 18 bursa të plota pranë Akademisë Evropiane të Novacionit (EIA), në kuadrin e njërit prej programeve verore lider në botë për sipërmarrjen për profesionistët e rinj, studentët, të sapodiplomuarit dhe sipërmarrësit e rinj.
Nga 8 deri më 27 korrik, në Torino, aplikantët fitues nga Ballkani Perëndimor do të zhyten në një ekosistem shumëkulturor me profesionistë dhe këshillues nga institucionet kryesore të botës, përfshirë drejtues biznesesh nga Amerika, Evropa dhe Azia, me qëllimin për të shpërfaqur talentin dhe për të sjellë ndryshimin në shoqëri.
Sponsorizuar nga Kryesia Italiane e OSBE-së 2018, në kuadrin e projektit YDEAS (Zhvilluesit dhe Sipërmarrësit e Rinj për Avancimin e Bizneseve të Reja Start-up në Ballkanin Perëndimor), që menaxhohet nga Zyra e Koordinatorit për Aktivitetet Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së (OCEEA), bursat do të mbështeten nga rrjeti i Misioneve në Terren të OSBE-së, si dhe nga degët vendore të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
“Nxitja e potencialit të pamasë të rinisë në Ballkanin Perëndimor është një investim afatgjatë për të ardhmen e të gjithë rajonit”, deklaroi Kryetari i Radhës i OSBE-së, ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano. “Rinia është prioriteti ynë kryesor si Kryesi e Radhës e OSBE-së për Ballkanin Perëndimor. Ky program do të ndihmojë në krijimin e një komuniteti rinor me ide novatore dhe aftësi pararojë, që do të jetë gati për të konkurruar në tregun global”.
Nga 3 maj deri më 4 qershor 2018 (24:00 CET), aplikantët nga Ballkani Perëndimor mund të dërgojnë kandidaturën e tyre tek Akademia Evropiane e Novacionit KËTU, ku të përcaktojnë titullin e bursës “programi i bursave të OSBE-së”. Gjysma e bursave janë të rezervuara për kandidatet femra.
Bursa përfshin programin 15-ditor, këshillimin, sesionet me folësit ekspertë, mjetet, eventet e bashkëpunimit, 6 kredite ECTS, udhëtimin dhe akomodimin.
Kjo nismë pilot është komponent integral i angazhimit të OCEEA-s në fushën e zhvillimit të kapitalit njerëzor, në përputhje me prioritetet e Kryesisë Italiane të OSBE-së për vitin 2018.
Për informacione të mëtejshme, lutemi kontaktoni me misionin e OSBE-së më afër jush, ose me zyrën vendore të RYCO-s, ose dërgoni e-mail në [email protected].