Koha është për t’i dhënë fund ngërçit politik, thotë Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Zannier pas përfundimit të vizitës së tij në Shkup
SHKUP, 9 mars 2017 – Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier, sot në fund të vizitës së tij në Shkup, shprehu shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në shtet duke ju bërë thirrje liderëve politik t’i japin fund krizës së vazhduar politike në interes të të gjithë qytetarëve.
“Përfundimi i ngërçit politik dhe kthimi i stabilitetit politik duhet të jetë prioriteti kryesor. Çelësi për zgjidhje është në duart e aktorëve politik të cilët duhet t’i përgjigjen sfidës dhe të zgjidhin krizën politike në dobi të të gjithë qytetarve,” tha Zannier. Ai theksoi se rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016 sigurojnë bazë solide për formimin e qeverisë dhe bëri thirrje Parlamentit të fillojë me punë, në përputhshmëri me parimet demokratike dhe në pajtim me sundimin e së drejtës.
Zannier i dënoi mesazhet nxitëse dhe incidentet të kohës së fundit të cilat mund të çojnë drejt përkeqësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO) është me rëndësi të madhe për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve.
“I inkurajojë të gjitha palët relevante të MKO-së të mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të të njëjtës. OSBE-ja, institucionet e saja dhe Misioni i OSBE-së në Shkup do të vazhdojnë të promovojnë shoqëri multietnike dhe demokratike, dhe të sigurojnë asistencë në fushën e sundimit të së drejtës, zgjedhjeve, qeverisjes dhe reformave në polici. I inkurajojmë të gjithë aktorët ta shfrytëzojnë në tërësi këtë ekspertizë,” tha Zannier.
Duke e njohur progresin që është arritur nëpërmjet implementimit të Marrëveshjes së Przhinos, Zannier nënvizoi se kthimi i besimit tek institucionet është i një rëndësie të veçantë.
Në takimin me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, ai theksoi rolin e tyre të rëndësishëm në promovimin e shoqërisë demokratike dhe shprehu shqetësimin e tij për raportime të presioneve.
Gjatë vizitës së tij, Zannier u takua me Presidentin Gjorge Ivanov, Ministrin e punëve të jashtme Nikola Poposki, liderët e partive politike - VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, Lëvizja BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, si dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.