Shefja e Misionit të OSBE-së Nina Suomalainen takon prokuroren Katica Janeva
SHKUP, 10 tetor 2015- Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen, ka takuar sot prokuroren për rastet lidhur me përmbajtjen e përgjimeve të paautorizuara Katica Janeva për të diskutuar lidhur me rolin e saj dhe sfidat.
Gjatë takimit, Suomalainen e uroi Janevën për formimin e ekipit të saj me gjithsej dymbëdhjetë ndihmës prokurorë, duke theksuar se Prokurorja dhe ekipi i saj duhet të kryejnë punën e tyre të pavarur dhe të lirë nga çfarëdo forme e presionit për të arritur rezultat të drejtë dhe objektiv.
“Është e rëndësishme që Prokurorja të punojë me institucionet. Misioni ynë është i gatshëm të ofrojë ndihmë,” shtoi Suomalainen.
Shefja e Misionit të OSBE-së shfrytëzoi rastin të përshëndes marrëveshjen e arritur në mbledhjen e liderëve politik të mbajtur më 5-6 nëntor për implementimin e mëtejmë të marrëveshjes qershor/korrik, i njohur si marrëveshja e Përzhinos.
“Jemi të kënaqur që u dakorduan këto hapa të mëtejmë. Implementimi i duhur i Marrëveshjes së Përzhinos dhe respektimi i ligjeve, përfshi ato të miratuara dje në parlament, duhet të krijojnë mundësi për kushte të drejta dhe të barabarta gjatë zgjedhjeve të ardhshme,” tha Suomalainen.
*Prokurorja për rastet që dalin rreth dhe nga përmbajtja e paautorizuar e përgjimit të komunikimeve ka marrë postin më 15 shtator, si pjesë e ashtuquajturës Marrëveshje e Përzhinos, e arritur ndërmjet katër partive politike me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.