OSBE përmbyll konferencën për dialog dhe pajtim me gratë nga Prishtina dhe Beogradi
Një konferencë dy ditore - Gratë Promovojnë Dialogun dhe Pajtimin - organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi ka përfunduar me 9 dhjetor 2016 në Prishtinë. Konferenca mblodhi së bashku gra të shquara nga jeta politike, shoqëria civile, akademia dhe media – të cilat janë anëtare të iniciativës “Na ndiqni” nga Prishtina dhe Beogradi, si dhe të diplomuarat e Akademisë së Dialogut të OSBE-së.
Panelistet prezantuan vizionin e tyre të dialogut, i cili synon ndërtimin e besimit dhe inkurajon pajtimin duke ofruar një forum për debat dhe veprime për çështje të brengave të përbashkëta që lidhen me rolin e gruas në të dy shoqëritë dhe sfidat e tyre për qasje në proceset vendimmarrëse.
“Kur u takuam për herë të parë në vitin 2012 ishim dyshuese ndaj njëra-tjetrës dhe nuk dinim se çfarë të prisnim,” tha Blerta Deliu-Kodra, deputete e Kuvendit të Kosovës. “Por ne ishim të gjitha të vetëdijshme për rëndësinë e këtij dialogu dhe nevojën për ta mbajtur të fokusuar në çështje që vërtet kishin rëndësi për jetën tonë të përditshme.”
Gordana Çomiq, deputete e Parlamentit të Serbisë tha se fuqia e kësaj iniciative është që solli në të njëjtën tryezë gra me ndikim nga politika, por edhe nga shoqëria civile, mediat dhe akademia. “Në këtë mënyrë, dialogu mori mbështetjen e politikës por, në të njëjtën kohë, i rezistoi debateve të nxehta politike.”.
Duke iu adresuar pjesëmarrësve të konferencës, zëvendës-shefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Paivi Nikander, tha se anëtaret e iniciativës “Na ndiqni” kanë treguar se gratë mund të punojnë në drejtim të arritjes së paqes dhe zhvillimit.“Duke folur për brenga të përbashkëta dhe duke kërkuar veprime konkrete për t’i adresuar ato, gratë kanë ndërtuar besim të ndërsjellë dhe mirëkuptim ndërmjet shoqërive të tyre, dhe shërbejnë si model për t’u ndjekur nga shumë të tjera, veçanërisht nga gjeneratat e reja.”
Gjatë konferencës u vënë në pah arritjet dhe planet e ardhshme për bashkëpun nën iniciativën “Na diqni”. Themelimi i Akademisë së Dialogut për vajza të reja, pjesëmarrja e përbashkët në disa debate publike, duke përfshirë këtu edhe DokuFestin dhe Forumin e Sigurisë në Beograd, u theksuan si disa nga rezultatet konkrete të iniciativës deri më sot. Të diplomuarat e Akademisë së Dialogut prezantuan planet e tyre për aktivitete të përbashkëta që do të zbatohen në vitin 2017, në të cilat përfshihen aktivitete të komunikimit për sensibilizim dhe angazhim të grave dhe burrave, veçanërisht atyre në zonat rurale, për rëndësinë e dialogut dhe të barazisë gjinore. Pjesëmarrëset e iniciativës “Na ndiqni” dhe të diplomuarat e Akademisë për Dialog të OSBE –së i definuan Planet Vepruese përkatëse të tyre për vitin 2017.
Konferenca kishte në program të saj edhe një koncert ku performuan dy grupe muzikore të Shkollës së Rokut nga Mitrovica, shkollë që ka angazhuar qindra të rinj shqiptarë dhe serbë nga Kosova veriore.