Rikthimi i trendit pozitiv të normalizimit të marrëdhënieve kyç për progres dhe stabilitet, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Zannier pas vizitës në Kosovë
PRISHTINË, 10 mars 2017 – Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier përmbylli sot vizitën e tij në Prishtinë, gjatë së cilës qëndroi në Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe takoi kryesues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive politike, komuniteteve, grupeve fetare, shoqërisë civile dhe të bashkësisë ndërkombëtare.
“Rikthimi i trendit pozitiv të normalizimit të marrëdhënieve është kyç për progres dhe stabilitet, tha Zannier. “Liderët duhet të mbesin të përkushtuar për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE me energji dhe garanca të reja.”
Zannier tha se zhvillimet në rajon janë veçanërisht brengosëse. “U takova me liderë qeveritarë dhe të opozitës, dhe i inkurajova të mbajnë qasje konstruktive në mënyrë që të shmanget përhapja e tensioneve,” tha Zannier.
Zannier bëri thirrje për dialog të mëtutjeshëm mes të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend, për të zgjidhur mospajtimet politike, në të mirë të të gjithë njerëzve në Kosovë.
“Dialogu në mes të përfaqësuesve të të gjitha partive politike duhet të ndodh në Kuvend pa frikësime dhe pa dhunë. Është përgjegjësi e deputetëve, si zyrtarë të zgjedhur, të përfaqësojnë interesat e elektoratit të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme përmes debatit aktiv dhe demokratik,” shtoi ai.
Duke njohur nevojën për të adresuar çështjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar kohesion shoqëror, Sekretari i Përgjithshëm lavdëroi Presidentin Hashim Thaçi për nismën e tij për të themeluar Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin.
Ai nënvizoi edhe punën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, duke theksuar përkushtimin e OSBE-së në fuqizimin e dialogut ndëretnik dhe tolerancës fetare.