Nevojitet angazhim politik konstruktiv për reforma të qëndrueshme, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Greminger, gjatë vizitës në Tiranë
TIRANË, 29 maj 2018 – Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, përfundoi sot vizitën dyditore në Tiranë, gjatë së cilës u takua me zyrtarët më të lartë të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të gjerë politik ndaj reformave thelbësore në vend dhe ofroi vijimësinë e partneritetit të OSBE-së.
“Lufta kundër korrupsionit mbetet e një rëndësie parësore për vendin dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të ndihmojë për krijimin e një historiku të qëndrueshëm hetimesh proaktive, ndjekjesh penale dhe dënimesh”, tha Greminger. Prezenca e OSBE-së vazhdon ta mbështesë qeverinë në hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare kundër Korrupsionit 2015-2020.
“Shqipëria ka bërë përparime të ndjeshme në axhendën e saj të reformave”, tha Greminger. “Reforma zgjedhore ka shënuar një fillim pozitiv falë vullnetit ndërpartiak, por ky ritëm duhet mbajtur. Rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) duhet të marrin zgjidhje përpara zgjedhjeve të ardhshme”.
Në takimet e tij me zyrtarët e lartë të vendit, Greminger mirëpriti rolin konstruktiv të Shqipërisë për ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për mbështetjen e bashkëpunimit rajonal. “Shqipëria është partnere me të drejta të plota në punën e OSBE-së në trajtimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, me të cilat ballafaqohet komuniteti ynë, përfshirë këtu krimin e organizuar dhe ekstremizmin”, tha ai.
Greminger u takua me Presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Ai pati takim edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërinë civile.
Gjatë vizitës, Sekretari i Përgjithshëm nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë, OSBE-së dhe qeverisë zvicerane, në lidhje me projektin e ri “Mbështetje për Kuvendin e Shqipërisë dhe Edukimin Qytetar”. Projekti synon ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e qytetarëve, me qëllim që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në vend.
Po ashtu, gjatë vizitës së tij, Sekretari i Përgjithshëm zhvilloi një takim me personelin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, tha: “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të mbetet mbështetëse dhe partnere e fortë e institucioneve dhe e qytetarëve të Shqipërisë ndërkohë që ata ballafaqohen me sfidat e tyre madhore”.
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, shoqëroi Sekretarin e Përgjithshëm gjatë vizitës së tij, pasi Italia mban Kryesinë e Radhës të OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u themelua në vitin 1997.