OSBE-ja organizon një kurs trajnimi rajonal për Ekspertizën Kriminalistike të të Dhënave Live në Tiranë
Rritja e njohurive dhe aftësive të profesionistëve të drejtësisë penale nga Evropa Juglindore në fushën e ekspertizës kriminalistike të të dhënave live ishte fokusi i një kursi trajnimi një-javor organizuar nga OSBE-ja nga 26 shkurti deri më 2 mars 2018 pranë Akademisë shqiptare të Sigurisë në Tiranë.
Ky kurs, i cili u organizua nga Departamentit të Sekretariatit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të Akademisë shqiptare të Sigurisë, u ndoq nga 20 profesionistë që shërbejnë pranë institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.
Trajnimi u ofroi pjesëmarrësve njohuri teorike bazë rreth ekspertizës kriminalistike së të dhënave live, si dhe aftësi praktike për të realizuar ekspertizën kriminalistike të të dhënave live dhe për të përftuar të dhënat nga sistemet operative Windows, Linux dhe Mac. Kursi i trajnimit u zhvillua nga Grupi Evropian i Trajnimit dhe Edukimit për Krimin Kibernetik (ECTEG), anëtare e të cilit është edhe OSBE-ja, duke përdorur për drejtimin e tij dy ekspertë të jashtëm nga agjencitë ligjzbatuese gjermane dhe norvegjeze.
Ky kurs është pjesë e një projekti më të gjerë rajonal të OSBE-së për rritjen e kapaciteteve dhe është i treti në një varg veprimtarish rajonale trajnimi që trajtojnë aspekte të ndryshme tematike të luftës ndaj krimit kibernetik dhe krimit të mundësuar nga kibernetika, të cilat zhvillohen nga janari deri në prill të këtij viti. Projekti përfaqëson një përpjekje bashkëpunuese të Departamentit të Sekretariatit të OSBE për Kërcënimet Transnacionale, misioneve të OSBE-së në Evropën Juglindore dhe autoriteteve të vendeve përkatëse. Zbatimi i këtij projekti drejtohet nga një bord koordinimi, i cili përzgjedh dhe emëron pjesëmarrësit për secilin trajnim rajonal dhe më vonë do të monitorojë dhe vlerësojë trajnimet vendore që vetë përfituesit do t’i organizojnë gjatë fazës së dytë të projektit.