Përmbyllet kursi i trajnimit për trajtimin e provave dixhitale nga reaguesit e parë në Evropën juglindore, organizuar nga OSBE-ja në Tiranë
Trajtimi i provave dixhitale nga reaguesit e parë (personat përgjegjës që arrijnë të parët në vendngjarje apo në arrestimin e një të dyshuari) ishte fokusi i kursit njëjavor, organizuar për institucionet e drejtësisë penale të Evropës juglindore më 22-26 janar 2018, në Akademinë e Sigurisë në Tiranë.
Në këtë kurs trajnimi të trajnuesve të organizuar nga Departamenti për Kërcënimet Transnacionale në Sekretariatin e OSBE-së, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Akademisë së Sigurisë në Tiranë, morën pjesë 20 përfaqësues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.
Qëllimi i kursit ishte forcimi i kapaciteteve trajnuese kombëtare të përfituesve, që t'iu përcjellin reaguesve të parë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për identifikimin dhe trajtimin e provave dixhitale që mund t'i vlejnë hetimit të çështjes. Këtu përfshihet administrimi dhe përpunimi i duhur provave dixhitale, për të garantuar ruajtjen e të dhënave dhe pranimin e tyre në gjykatë në rast procedimi pedal.
Kursi u përgatit dhe u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Sigurinë Kibernetike dhe Hetimet e Krimeve Kibernetike pranë Kolegjit Universitar Dublin (UCD).
Si pjesë e një projekti më të madh rajonal të OSBE-së për forcimin e kapaciteteve, ky kurs ishte i pari në një seri trajnimesh rajonale që trajtojnë aspekte tematike të luftës kundër krimit kibernetik, që do të zhvillohen në muajt në vijim. Kursi i dytë që do të realizohet në shkurt, ofron informacion bazë për Rrjetin e Errët dhe monedhat virtuale.
Projekti është një nismë e përbashkët e Departamentit për Kërcënimet Transnacionale në Sekretariatin e OSBE-së, Misioneve të OSBE-së në Evropën juglindore dhe autoritetet pritëse përkatëse. Zbatimin e projektit e drejton Bordi i Koordinimit i cili përzgjedh dhe cakton pjesëmarrësit për çdo trajnim rajonal dhe më pas do të monitorojë dhe do të vlerësojë trajnimet që vetë përfituesit do të zhvillojnë në vendet e tyre gjatë pjesës së dytë të projektit.