Përgjigjja e drejtësisë penale ndaj terrorizmit, temë e seminarit të OSBE-së në Prishtinë
Seminari dyditor me temë fuqizimin e përgjigjjes së drejtësisë penale ndaj terrorizmit, në përputhje me ligjin, që ka mbledhur mbi 30 profesionistë të gjyqësorit, agjenci të zbatimit të ligjit, si dhe menaxhmentit të burgjeve është përmbyllur sot (6 korrik 2017) në Prishtinë.
Organizuar nga Njësia e Veprimit Kundër Terrorizmit nga Departamenti për Kërcënime Transnacionale nga Sekretariati i OSBE-së, në bashkëpunim të ngushtë me Misionin e OSBE-së Kosovë, seminari kishte në fokus praktikat e mira të përfshira në Memorandumin e Rabatit të Forumit Global Kundër Terrorizmit, i cili përfshin informata për parandalimin dhe ndjekjen efektive të terrorizmit, duke nënvizuar respektimin e së drejtës së aplikueshme ndërkombëtare.
Ekspertët në fushën e drejtësisë penale prezantuan parametrat dhe praktikat ligjore të zhvilluara në Gjermani, Holandë, Poloni, Zvicër dhe SHBA, si dhe punën e kryer nga sektori privat financiar në këtë fushë.
“Puna jonë në monitorimin e gjykimeve na ka treguar se sektori i drejtësisë në Kosovë funksionon më së miri kur rastet e përgatitura mirë dhe të hetuara tërësisht trajtohen nga prokurorë dhe gjyqtarë të përgatitur e të informuar,” tha Benjamin Reed, Shef i Seksionit për Drejtësi dhe Ligj të Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Jemi të kënaqur që kemi arritur të mbledhim në një vend përfaqësues të agjencive të zbatimit të ligjit, prokurorë dhe gjyqtarë, si dhe përfaqësues të autoriteteve korrektuese dhe ministrive, për tu angazhuar në çështjen e terrorizmit në tërë spektrin e sektorit të drejtësisë, ashtu që rastet të mund të trajtohen në mënyrë efektive, në kohë dhe në pajtim me ligjin.”
Në mesin e temave të ndryshme, pjesëmarrësit diskutuan edhe për mekanizmat efektivë të bashkërendimit të agjencive vendore qeveritare dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht për sa i përket ballafaqimit me terrorizmin. Seminari gjithashtu nënvizoi nevojën për të siguruar mbrojtje të të gjitha palëve të përfshira në rastet e terrorizmit, si dhe zhvillimin e politikave për burgosjen dhe riintegrimin efektiv të terroristëve të dënuar.
Kjo ngjarje e organizuar në Prishtinë e gjashta me radhë e kësaj serie, me financim nga kontributet jashtëbuxhetore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Seminarët e tjerë të mëparshëm janë mbajtur në Nikozi (2014), Shkup, Sofje, Tashkent (2015) dhe Sarajevë (2016).