OSBE trajnon agjencitë ligjzbatuese shqiptare për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga trafikimi në njerëz
Një Seminar i OSBE-së rreth hetimit financiar dhe sekuestrimit të pasurive që rrjedhin nga format e ndryshme të trafikimit në njerëz u mbajt më 17 Prill në Tiranë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të Policisë së Shtetit, prokurorëve, gjyqtarëve dhe hetuesve financiarë.
“Aftësimi i institucioneve ligjzbatuese për ndjekjen me efikasitet të flukseve të parave të paligjshme të siguruara nga trafikimi në njerëz dhe forcimi i masave për konfiskimin e të ardhurave nga krimi u shërbejnë dy qëllimeve kryesore: privimit të organizatave kriminale nga kapitali me të cilin financojnë operacionet e tyre dhe sigurimit të fondeve që mund të përdoren më pas për t’u ardhur në ndihmë viktimave,” tha Knut Dreyer, Këshilltar i lartë për çështje policore pranë OSBE-së.
“Vitet e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme që duhen vlerësuar në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore në nivel legjislativ dhe operativ. Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal duhet të rrisin numrin e ndjekjeve penale të të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore, pavarësisht nëse ai ndodh brenda për brenda vendit apo përtej kufijve. Sidoqoftë, lufta ndaj krimit kërkon bashkëpunim më efikas, në vend dhe jashtë tij”, tha Ambasadori Eugen Wollfarth, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Seminari u organizua nga Departamenti i Risqeve Transnacionale / Njësia për Çështje Policore pranë OSBE-së në bashkëpunim me Seksionin e Anti-trafikimit pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe u drejtua prej ekspertësh nga Britania e Madhe, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Kjo veprimtari u zhvillua në vijim të një trajnimi të ngjashëm ndërkombëtar të mbajtur në Pragë në Korrik 2012.