Pjesëmarrësit e Konferencës për Media në Evropën Juglindore bëjnë thirrje për veprim urgjent për mbrojtjen e gazetarëve dhe përmirësimin e lirisë së medias

STRUGË, 11 maj 2018 - Gjatë dy ditëve të fundit, në Strugë u mblodhën më shumë se 160 pjesëmarrës, përfshi përfaqësuesit e mediave, përfaqësues të qeverive, si dhe të organizatave të shoqërisë civile nga gjithë rajoni i Evropës Juglindore për të diskutuar sfidat më urgjente të lirisë së medias, si dhe për të ofruar rekomandime për përmirësimin e lirisë së shtypit dhe të mjedisit mediatik në rajon.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, Ministri i angazhuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparence Robert Popovski, si dhe zëvendës-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Artemis Dralo, iu drejtuan konferencës së bashku me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Mediave, Harlem Désir.
Pas gjuajtjes me armë ndaj Olivera Lakiç më 8 maj në Malin e Zi, pjesëmarrësit miratuan një Deklaratë që u bën thirrje Shteteve të bëjnë më shumë për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së medias në rajon.
“Shumë gazetarë vazhdojnë të jenë të ngacmuar, kërcënuar dhe sulmuar për punën e tyre ndërsa krimet kundër gazetarëve kryesisht mbeten të pandëshkuara. Mosndëshkimi është i papranueshëm,” tha Désir.
Pjesëmarrësit e konferencës kërkuan që çdo sulm dhe kërcënim kundër një gazetari të hetohet plotësisht dhe në mënyrë transparente. “Është përgjegjësi e shtetit që të sigurojë se të gjithë autorët e krimeve përballen plotësisht me ligjin,” tha Désir.
Konferenca u përqendrua gjithashtu në kushtet e punës së gazetarëve, pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e transmetuesve publik, i cili duhet të garantohet, si dhe në vetë-rregullimin e medias, përmirësimin e standardeve profesionale, ndikimin e digjitalizimit në media dhe në çështjen e “lajmit të rremë” në rajon.
Pjesëmarrësit theksuan problemin madhor të ndërhyrjes politike në sferën e medias në shumë shtete, përfshi nëpërmjet masave ekonomike dhe administrative, si dhe theksuan nevojën për të krijuar më shumë hapësirë për pluralizmin e vërtetë dhe zhvillimin e mediave të pavarura.
“Qeveritë dhe politikë-bërësit duhet të nxisin dhe mbrojnë një shtyp të pavarur dhe të larmishëm. Ekziston nevojë për një kuptim të qartë të rolit thelbësor të medias në një demokraci, prandaj sulmet ndaj lirisë së medias duhet të trajtohen si një sulm ndaj shoqërisë në tërësi ,” tha Desir. “Duke pasur parasysh kaq shumë sfida dhe kërcënime, nevojitet gjithashtu të përforcohet solidariteti midis gazetarëve.”
Pas konferencës, përfundimet dhe rekomandimet do t’i u dërgohen autoriteteve të vendeve të ndryshme për të ndihmuar në formulimin e politikave që mbështesin lirinë e medias si një element thelbësor të demokracisë në rajon.
Konferenca për Mediat në Evropën Juglindore (#SEEMC) u organizua nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup dhe mbështetjen nga misionet e OSBE-së në Evropën Juglindore.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në të gjitha 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ai ofron paralajmërim të hershëm për shkeljet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon pajtueshmërinë e plotë me angazhimet e OSBE-së për lirinë e medias. Mësoni më shumë në www.osce.org/fom Twitter: @OSCE_RFoM dhe në www.facebook.com/osce.rfom