Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë tryezë teknike për përmirësimin e fshehtësisë së votimit dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve
Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizuan sot një tryezë teknike për përmirësimin e fshehtësisë së votimit dhe parandalimin e presionit ndaj zgjedhësve.
Takimi u fokusua te ruajtja e një prej parimeve më të rëndësishme të zgjedhjeve siç është e drejta për të votuar të lirë dhe në mënyrë të fshehtë.
Në të morën pjesë institucione shtetërore, parti politike, agjenci ligjzbatuese, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Pjesëmarrësit analizuan disa nga sfidat e vazhdueshme të identifikuara në raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Në zgjedhjet e ardhshme, këto çështje do të kërkojnë vëmendje akoma më të madhe, për shkak të kompleksitetit që sjellin teknologjitë e reja dhe votimi nga jashtë vendit, veçanërisht për grupet vulnerabël si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe ata me vështirësi në të shkruar e të lexuar.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, tha: “Çelësi i suksesit është te bashkëpunimi mes të gjitha palëve, qeveritarë dhe jo-qeveritarë. Institucionet e qeverisjes vendore, organet e zbatimit të ligjit dhe partitë politike luajnë rol kritik në garantimin e zbatimit të rregullave për zgjedhjet. Autoritetet vendore duhet të sigurojnë që qendrat e votimit të përcaktohen duke i dhënë përparësi qasjes dhe sigurisë. Roli i Policisë së Shtetit mbetet thelbësor në ruajtjen e rendit, parandalimin e presionit dhe trajtimin në kohë të çdo shkeljeje të mundshme gjatë procesit zgjedhor. Ndërkohë, partitë politike duhet të veprojnë me përgjegjësi në ndërveprimet e tyre me zgjedhësit dhe të trajnojnë komisionerët dhe zyrtarët partiakë për të shkurajuar veprimet që mund të cenojnë integritetin e votës. Gjithashtu, duhet mbështetur shoqëria civile në kryerjen e detyrës së saj në edukimin e zgjedhësve rreth të drejtës së tyre për të votuar në fshehtësi, duke theksuar edhe përgjegjësinë e këtyre të fundit për të respektuar fshehtësinë e votimit për ta dhe të tjerët”.
Kjo ishte tryeza e katërt dhe e fundit teknike që Prezenca e OSBE-së dhe KQZ-ja organizuan këtë vit. Tryezat e tjera u fokusuan tek edukimi i zgjedhësve, shitblerja e votës dhe roli i medias në procesin zgjedhor. Gjetjet dhe rekomandimet e të gjitha tryezave do të mbështesin KQZ-në dhe institucionet e tjera në rritjen e integritetit të zgjedhjeve dhe të besimit të publikut në procesin zgjedhor, përpara zgjedhjeve parlamentare të 2025-s.