Prezenca e OSBE-së trajnon gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm mbi trafikimin e qenieve njerëzore përmes një gjyqi imitues
Më 4 dhe 5 dhjetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës, organizuan një trajnim të specializuar mbi trafikimin e qenieve njerëzore, me një fokus të veçantë te trafikimi i fëmijëve. Trajnimi u bazua në formatin interaktiv të një gjyqi imitues, duke u ofruar 15 studentëve magjistratë përvojë praktike teksa përgatiten për funksionet e ardhshme si gjyqtarë dhe prokurorë.
“Ky gjyq imitues – unik si në përmbajtje ashtu edhe në metodologji – përfaqëson pikën kulmore e një projekti dyvjeçar të zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në mbështetje të Shkollës së Magjistraturës,” tha Ambasadori Michel Tarran, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Mbështetur nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara, Norvegjisë dhe Italisë, kjo nismë përfshin një qasje gjithëpërfshirëse të ‘trajnimit të trajnerëve’ dhe plotësohet nga një manual i përshtatur posaçërisht për kontekstin shqiptar.”
Gjatë hapjes së trajnimit të gjyqit imitues, Arben Rakipi, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, theksoi rëndësinë e integrimit të metodave novatore të mësimdhënies, sikurse janë simulimet gjyqësore, në kurrikulën e shkollës. “Metoda të tilla novatore mësimdhënieje i pajisin studentët magjistratë me njohuri dhe aftësi të vlefshme për përballimin e sfidave ligjore komplekse me efikasitet,” vuri në dukje ai.
Të udhëhequr nga profesionistë të lartë të drejtësisë, duke u ushtruar në simulimin e skenarëve të gjyqeve reale, pjesëmarrësit përfituan njohuri thelbësore rreth trajtimit të çështjeve të trafikimit të qenieve njerëzore me ndjeshmëri dhe saktësi.
Kjo nismë nxjerr në pah angazhimin e OSBE-së për forcimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor dhe për avancimin e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Duke i pajisur gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm me përvojë dhe njohuri praktike, ajo synon një reagim më të fuqishëm të sistemit gjyqësor ndaj kësaj shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.