Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve
Në përgatitje të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së mbështeti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 9 korrik 2024, në organizimin e një tryeze të rrumbullakët për të identifikuar dhe diskutuar çështjet që prekin administrimin e efektshëm të procesit të zgjedhjeve parlamentare 2025.
Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike, institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Diskutimet u përqendruan te vendosja e një sistemi komunikimi efiçent mes KQZ-së dhe agjencive ligjzbatuese; administrimi dhe vëzhgimi i procesit të votimit e numërimit; përmirësimi i sistemit të raportimit të institucioneve publike në KQZ; trajnimi i komisionerëve të niveleve më të ulëta; si edhe përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes për votimin elektronik dhe asistencën e tij teknike. Përgjatë takimit, pjesëmarrësit theksuan nevojën për dialog dhe bashkëpunim të vijueshëm për të siguruar një proces zgjedhor transparent e të besueshëm.
Në hapje të tryezës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Qëllimi i këtij takimi është të hapim diskutimin në lidhje me çështje të cilat KQZ-ja mund t’i adresojë në mënyrë të pavarur nga ndryshimet ligjore që do të bëjë Kuvendi i Shqipërisë. Kemi mjaft çështje që mund të diskutojmë, ka mjaft problematika që KQZ-ja do të duhet t'i adresojë, me qëllim që të përmirësojmë gjithë procesin e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve. Jemi dëshmitarë të problemeve të ndryshme që e karakterizojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Të gjitha çështjet problematike, do t'i listojmë dhe më pas të shkëmbejmë mendime për mënyrat dhe rrugët që KQZ-ja do të duhet të ndjekë për t'i adresuar. Partitë politike, shoqëria civile dhe të gjitha palët e angazhuara në zgjedhje, janë të mirëpritura për ta nxitur dhe për të ndihmuar këtë nismë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u bëri thirrje aktorëve politikë ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatim. “Kemi një sfidë të pazgjidhur ende: zbatimin e efektshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe çështjen e votimit nga jashtë vendit. Duhet të theksoj se çdo vendim, qoftë në lidhje me ndreqjen e hendeqeve legjislative apo me normimin e elementeve praktike, duhet të rrjedhë prej konsensusit të gjerë. Ky konsensus duhet të bazohet në vlerësime tërësore dhe në konsultime gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë këtu aktorët politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin e diasporës. Një përqasje e tillë do të mundësonte zbatim të rrjedhshëm dhe pa kundërshtime të votimit nga jashtë vendit, duke çuar edhe në rritje të besimit të votuesve në procesin zgjedhor”, tha Tarran.
Takimi u mbyll me një thirrje ndaj gjithë aktorëve për të zbatuar në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse zgjidhjet dhe rekomandimet e propozuara, duke synuar kështu një menaxhim më transparent dhe të efektshëm të zgjedhjeve në Shqipëri.
Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia.