Prezenca e OSBE-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizojnë tryezë teknike për rritjen e rolit të organeve ligjzbatuese kundër shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore në Shqipëri
Në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan, më 6 qershor 2024, një tryezë teknike për rritjen e rolit të organeve ligjzbatuese kundër shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore.
Tryeza shërbeu si një platformë për përfaqësuesit dhe ekspertët e agjencive e zbatimit të ligjit, institucioneve të tjera shtetërore dhe publike, shoqërisë civile, medias dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar rreth përmirësimeve të mundshme të procedurave të hetimit dhe zbatimin e tyre në kohë, duke nxitur raportimin e qytetarëve dhe rritjen e bashkërendimit ndërmjet organet ligjzbatuese dhe institucionet përkatëse.
“Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-s, tani është koha e duhur për të marrë në konsideratë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe adresuar këto çështje, për të rritur performancën e institucioneve shtetërore në trajtimin e shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore”, tha ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, në hapje të takimit. “Prezenca mirëpret çdo nismë që i jep përparësi luftës kundër krimeve zgjedhore, përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje sipas nevojës”, shtoi ai.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha: “Jemi në momentin që të kuptojmë se si mund t’i përmirësojmë çështjet e integritetit zgjedhor, duke adresuar problematikat që e cenojnë këtë integritet në mënyrën më të mirë të mundshme. KQZ-ja ka rolin e vet, por ka shumë për t’u bërë dhe nga institucionet e tjera”.
Diskutimet në tryezë u përqendruan te gjetjet e raporteve të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it dhe rekomandimet e tyre për rritjen e integritetit dhe drejtësisë në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrësit analizuan efektivitetin e praktikave në trajtimin e shkeljeve zgjedhore në dy zgjedhjet e fundit, pas ndryshimeve ligjore të miratuara me konsensus të vitit 2020, duke identifikuar masat e suksesshme dhe fushat për përmirësim. Ata theksuan, gjithashtu, domosdoshmërinë e dialogut dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis të gjithë aktorëve për të siguruar një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm, si edhe rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për pasojat e shitblerjes së votës dhe shkeljeve të tjera zgjedhore.
Tryeza përfundoi duke vënë në dukje arritjet dhe sfidat në lidhje me përpjekjet institucionale për të adresuar shkeljet zgjedhore, të cilat kërkojnë zbatimin në kohë të rekomandimeve të diskutuara dhe punën e përbashkët drejt një sistemi zgjedhor më transparent dhe të drejtë në Shqipëri.