Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për fuqizimin e partneritetit mes tyre
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të rinovuar dhe fuqizuar partneritetin mes dy institucioneve. Memorandumi krijon kornizën e përgjithshme dhe jep udhëzime për bashkëpunimin mes Prezencës dhe Kuvendit lidhur me programin “Mbështetje për parlamentin e Republikës së Shqipërisë”.
“Kuvendi do të vijojë të fuqizojë partneritetin e suksesshëm me Prezencën e OSBE-së për avancimin e reformave demokratizuese dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, nënvizoi Nikolla, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.
“Ne jemi krenarë që qëndrojmë si një partner i palëkundur i Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, shërbimeve legjislative, përfaqësimit politik dhe mbikëqyrjes. OSBE-ja në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kuvendin në këto përpjekje”, tha Pasztory.
Sipas memorandumit, Prezenca do të mbështesë Kuvendin në përmirësimin e funksioneve të tij legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese, si edhe administratën parlamentare në përmbushjen e funksioneve të saj, në mënyrë të efektshme dhe gjithëpërfshirëse. Prezenca dhe Kuvendi do të bashkëpunojnë edhe për të shtuar ndërveprimin e Kuvendit me qytetarët dhe për të krijuar e vënë në përdorim mjete novatore për një sistem legjislativ transparent, që përmirëson aksesin në ligjet e konsoliduara dhe arkivat parlamentare.
Prezenca e OSBE-së është partnere afatgjatë e Kuvendit të Shqipërisë, mbështetur në mandatin e saj për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e institucioneve demokratike efektive dhe për të promovuar shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.