Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal të njësive të qenve të policisë dhe prezanton një manual trajnimi
Më 28 dhe 29 shkurt 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi takimin e dytë rajonal të ekspertëve për përmirësimin e kuadrit rregullator për njësitë e qenve të policisë. Takimi, i mbajtur për të dytin vit radhazi në Shqipëri, mblodhi përfaqësues të njësive të qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Prishtina, si edhe ekspertë të përgatitjes së qenve të policisë nga Franca dhe Austria. Veprimtaria mundësoi seanca teorike dhe ushtrime praktike, diskutime dhe prezantime nga ekspertët e përgatitjes së qenve të policisë.
“Duke marrë parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballet rajoni ynë, këto takime shërbejnë si një platformë përmes së cilës zyrtarët e juridiksioneve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët ndërkombëtarë dhe komuniteti i donatorëve shkëmbejnë njohuritë dhe aftësitë mes njësive të qenve që përfitojnë nga projektet e ndihmës së OSBE-së,” theksoi Sasho Trpchevski nga Prezenca e OSBE-së.
Saimir Boshnjaku, Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, theksoi kontributin e takimeve të tilla për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira me partnerët. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prezencës së OSBE-së përmes lidhur me projektin për armët e vogla dhe të lehta.
Takimi rajonal i këtij viti u fokusua në manualin e sapohartuar të trajnimit, që do të shërbejë si një mjet për rritjen profesionale të të gjithë shoqëruesve dhe instruktorëve të qenve të policisë. Manuali, i përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas nevojave të Policisë së Shtetit, do të shërbejë si bazë për trajnimet e trajnerëve, që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të qenve të policisë për zbulimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse të jashtëligjshme.
Hartimi i manualit është një ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Takimi rajonal, i cili qe gjithashtu pjesë e projektit, u organizua me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.