Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për të rritur aksesin në drejtësi për të gjithë
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Drejtori i Ndihmës Juridike Falas, Ergys Qirici, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, më 22 shkurt 2024, me qëllim përcaktimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Misioni i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas është të garantojë akses të barabartë në drejtësi për të gjithë njerëzit. Memorandumi është shprehje e mbështetjes së plotë të Prezencës për punën shumë të rëndësishme të kësaj agjencie të themeluar në vitin 2020.
Siç parashikohet në dokument, Prezenca do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Drejtorisë përmes trajnimeve për komunikimin me personat vulnerabël për organizatat e shoqërisë civile të licencuara për të ofruar ndihmë juridike falas, dhe do të mbështesë Drejtorinë të zhvillojë materiale për personat me shikim të dëmtuar dhe shtetasit e huaj. Gjithashtu, Prezenca do të mbështesë ngritjen e plotë të një klinike ligjore universitare në Universitetin e Elbasanit. Të dyja nismat synojnë rritjen e aksesit të publikut në drejtësi.
Gjatë nënshkrimit, Prezenca e OSBE-së i dha Drejtorisë një manual të porositur nga Prezenca, i cili përmban metoda dhe teknika që do të zbatohen nga ofruesit e ndihmës juridike falas gjatë pritjes dhe komunikimit me grupeve e cenueshme.
Në vitin 2022, Prezenca hartoi një udhëzues për komunikimin dhe pritjen e qytetarëve nga grupe të tilla, duke përfshirë të miturit, viktimat e dhunës në familje, pakicat (veçanërisht ato rome dhe egjiptiane) dhe personat me aftësi të kufizuara. Udhëzuesi shërbeu si material bazë për një trajnim për rreth 30 punonjës të Ndihmës Juridike Falas nga e gjithë Shqipëria, që Prezenca organizoi në nëntor 2023.
Memorandumi u nënshkrua në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë nga 15 deri më 22 shkurt 2024.