Organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të pushtetit vendor e qendror shkëmbejnë praktikat më të mira në rritjen e ndërgjegjësimit për armët e zjarrit, gjatë vizitës në Kroaci organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Dhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit zhvilluan një vizitë në Zagreb të Kroacisë, më 30 dhe 31 janar 2024, për të shkëmbyer praktikat dhe strategjitë më të mira gjatë hartimit e zbatimit të nismave ndërgjegjësuese lidhur me armët e zjarrit, në nivelin vendor dhe kombëtar. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së, si pjesë e projektit të saj “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Franca.
Delegacioni shqiptar pati mundësinë të mësonte nga përvoja e gjerë e Kroacisë dhe strategjitë e saj të qëndrueshme për rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun dhe keqpërdorimin e armëve të zjarrit. Ata u takuan me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të Kroacisë, Qendrës për Ekzaminime Mjeko-Ligjore, Qendrës Informative për Parandalim dhe Stacionit Policor Velika Gorica. Ata vizituan edhe Kryqin e Kuq në Zagreb dhe qendrën e tij për vullnetarë dhe të rinj, ku u njohën me nisma të ndryshme ndërgjegjësuese dhe parandaluese për rrezikun e armëve, me fokus të rinjtë.
“Kjo vizitë shkëmbimi ishte një përvojë e dobishme për ne, për të parë se si zbatohen fushatat ndërgjegjësuese për armët e zjarrit, në kontekstin e Kroacisë. Pas vizitës, në bashkëpunim me projektin e Prezencës së OSBE-së, do të zhvillojmë një plan për zbatimin e veprimtarive informuese në komunitetet tona”, tha Ervin Muço, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Social në Bashkinë Elbasan.
Strategjia e Rritjes së Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e Armëve të Vogla e të Lehta, e hartuar së fundmi, vë në pah se Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike dhe organizatat e shoqërisë civile janë partnerë të pozicionuar mirë, veçanërisht në mesin e grupeve të synuara të vështira për t’u arritur. Këshillat Vendorë dhe organizatat e përzgjedhura, që ishin pjesë e vizitës në Kroaci, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e konceptualizimit të strategjisë. Po ashtu, ata kanë shprehur vullnetin e tyre për të bashkëpunuar me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në veprimtaritë ndërgjegjësuese, në nivel vendor dhe kombëtar në Shqipëri, që do të zbatohen si pjesë e projektit të OSBE-së për armët e vogla e të lehta.
“Kjo është një platformë e jashtëzakonshme, e cila synon të bashkojë përfaqësuesit e Këshillave Vendorë, shoqërisë civile, Ministrisë dhe Policisë përgjatë realizimit të këtyre veprimtarive. Ne besojmë se kjo është arritja e parë në forcimin e bashkëpunimit midis këtyre aktorëve të rëndësishëm, në procesin e rritjes së përpjekjeve ndërgjegjësuese të qeverisë, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, tha Xhenis Ballço, specialiste vendase e projektit në Prezencën e OSBE-së.
Organizimi i vizitës u mbështet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe nga Kryqi i Kuq në Zagreb.