Prezenca e OSBE-së përfundon projektin trevjeçar për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e transparencës së sistemit të prokurimit publik në Shqipëri
Forcimi i kapaciteteve, rritja e transparencës dhe promovimi i qeverisjes së mirë në prokurimet publike në Shqipëri ishte qëllimi i një projekti që Prezenca e OSBE-së zbatoi nga 1 shtatori 2020 deri më 30 shtator 2023. Projekti trevjeçar u financua nga qeveritë e Italisë, Francës dhe Sllovakisë.
Në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Prezenca mbështeti hartimin e një kurrikule të re gjithëpërfshirëse me shumë module për prokurimin publik. Dokumenti trajton kuadrin legjislativ dhe aspekte të ndryshme të procedurave të prokurimit publik, me një fokus të shtuar në integritetin dhe mjetet e menaxhimit të riskut, të cilat janë thelbësore për një përdorim të efektshëm të fondeve publike.
Si pjesë e projektit, 19 ekspertë morën pjesë në një program intensiv 10-ditor të trajnimit të trajnerëve për zhvillimin e kapaciteteve. Ata tashmë janë pjesë e grupit të trajnerëve të ASPA-s, që do të ofrojnë trajnime të vazhdueshme për rreth 2 000 zyrtarë të prokurimeve publike në të gjithë vendin. Trajnimi i parë, për 120 zyrtarë të prokurimit publik, u pilotua nga qershori deri në shtator 2023.
Prezenca bashkëpunoi edhe me Shkollën e Qeverisjes Hertie në Berlin dhe Institutin Shqiptar të Shkencës për të mundësuar diskutimet teknike dhe kërkimin e pavarur për të identifikuar rreziqet dhe për të parandaluar korrupsionin në sektorë specifikë të prokurimeve publike, duke ofruar rekomandime përkatëse për palët e interesuara për të përmirësuar kuadrin operacional dhe atë të politikave.
Gjithashtu, me përfshirjen aktive të shoqërisë civile, projekti u fokusua në rritjen e ndërgjegjësimit për prokurimin transparent dhe nevojën për masa efektive kundër korrupsionit. Kjo u bë përmes forumeve të ndryshme, të cilat promovuan idenë e transparencës së të dhënave, si një gur themeli për mbikëqyrjen e pavarur.
Projekti përfundoi në shtator 2023 me një takim konsultativ me palët kryesore të interesit dhe përfituesit. Pjesëmarrësit diskutuan për mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të projektit dhe për sugjerime e rekomandime konkrete për institucionet se si të mbështesin rezultatet e projektit.
Prezenca e OSBE-së mbetet e përkushtuar të mbështesë institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile me asistencë teknike dhe ekspertizë për të çuar përpara reformën kundër korrupsionit në vend dhe për të forcuar qeverisjen ekonomike.