Prezenca e OSBE-së trajnon Policinë e Shtetit shqiptar mbi tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike
Katërmbëdhjetë punonjës të Policisë së Shtetit morën pjesë në trajnimin “Trafikimi i drogave sintetike - një kërcënim global në rritje”, që u zhvillua nga 27 deri më 29 shtator 2023. Trajnimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së Programi i Asistencës së Trajnimit për Hetimin Kriminal Ndërkombëtar (ICITAP), Administrata e SHBA për Zbatimin e Drogës (DEA), Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) dhe Policia Gjyqësore Federale Belge.
Gjatë trajnimit, hetuesit e Policisë së Shtetit u njohën me tendencat më të fundit në prodhimin, trafikimin e paligjshëm dhe shpërndarjen e drogave të reja sintetike, në nivel rajonal dhe global. Ata gjithashtu mësuan nga praktikat më të mira ndërkombëtare në hetimin dhe çmontimin e grupeve të krimit të organizuar të përfshira në trafikimin e paligjshme të drogave sintetike.
Kjo veprimtari është pjesë e projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për zbatimin e ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal”. Synimi është asistimi i agjencive ligjzbatuese shqiptare në zhvillimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira dhe mbështetja e zhvillimit dhe e reformës në polici.