Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezanton metodologjinë e gjyqit imitues për çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore
Më 27 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës organizuan një trajnim trajnerësh për stafin akademik të Shkollës së Magjistraturës, gjyqtarë dhe prokurorë për t’i njohur ata me një metodologji për zhvillimin e gjyqit imitues në çështjet penale të trafikimit të personave.
Seminari u ofroi pjesëmarrësve një sërë udhëzimesh mbi metodologjinë e gjyqit imitues, të përshtatur për kuadrin ligjor shqiptar. Kjo metodologji do të kontribuojë që gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të kuptojnë më së miri problematikat dhe sfidat tipike në çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore si edhe të mprehin aftësitë për trajtimin e këtyre çështjeve.
Në hapje të takimit, ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së, tha: “Shkalla e trafikimit të qenieve njerëzore kërkon masa urgjente për të rritur ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së viktimave të trafikimit”.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, theksoi rëndësinë dhe implikimet praktike të metodologjisë të bazuar te gjyqi imitues, e cila mund të përshtatet në programet e formimit të kësaj shkolle.
Prezenca e OSBE-së po bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës në një sërë nismash për të mbështetur avancimin e njohurive mbi trafikimin e personave, si në formimin fillestar ashtu dhe në atë të vazhdueshëm. Këto përpjekje janë pjesë e projektit të Prezencës të financuar nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Norvegjisë dhe Italisë. Në kuadër të këtij projekti, Prezenca do të botojë edhe një manual për metodologjinë e gjyqit imitues.