Shkolla e Magjistraturës nis kursin e ri për legjislacionin mjedisor, zhvilluar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri
Më 25 shtator 2023, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Shkolla e Magjistraturës zhvilluan një ceremoni të përbashkët për të paraqitur një kurs të ri kushtuar legjislacionit mjedisor dhe mekanizmave detyrues për zbatim në mbrojtjen e mjedisit.
Kursi semestral, pjesë e kurrikulës të formimit fillestar për studentët e magjistraturës, fokusohet tek aspektet penale, administrative dhe civile të legjislacionit mjedisor ndërkombëtar dhe vendas. Ai u hartua nga një ekip ekspertësh vendas dhe të huaj i krijuar nga Prezenca e OSBE-së.
Në hapje të veprimtarisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bruce Berton, tha: “Kursi i ri do të fuqizojë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm që të jenë katalizatorë për ndryshime pozitive, duke siguruar që pasuritë natyrore të Shqipërisë të mbrohen dhe ruhen për brezat që do të vijnë”.
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, falënderoi Prezencën e OSBE-së për mbështetjen në hartimin e kursit dhe njoftoi se kursi është miratuar nga bordi i shkollës dhe do të nisë zbatimin gjatë këtij viti akademik.
Duke marrë parasysh shqetësimet në rritje për shkelje dhe krime të organizuara ndaj mjedisit, kursi i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve e prokurorëve dhe magjistratëve të ardhshëm për të trajtuar si duhet rastet mjedisore dhe për të sjellë autorët para drejtësisë. Kursi do t’i pajisë prokurorët dhe magjistratët e ardhshëm me njohuritë dhe mjetet për të adresuar sfidat mjedisore, për të nxitur zbatimin e ligjeve mjedisore dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që kërkojnë drejtësi në çështjet mjedisore. Kjo gjë do të çojë në rritjen e efektivitetit të reagimit të agjencive të zbatimit të ligjit ndaj kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore.
Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështetë institucionet në përmirësimin e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri.
Sigurimi i ekspertizës ndërkombëtare dhe kombëtare për zhvillimin e këtij kursi u mundësua në kuadër të projektit me financim të jashtëm “Rritja e qeverisjes dhe sigurisë mjedisore”, zbatuar nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Norvegjisë, Francës dhe Italisë.