Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet agjencitë ligjzbatuese shqiptare për forcimin e kapaciteteve hetimore në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar
Në datat 26-27 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një program trajnimi dy-ditor për shtatëmbëdhjetë pjesëtarë të Policisë së Shtetit (PSH), Byrosë Kombëtare të Hetimit (NBI) dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Veprimtaria e trajnimit u mbajt me mbështetjen e Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, si dhe të organeve ligjzbatuese të shtetit italian, sikurse Policia e Shtetit, Guardia di Finanza dhe Grupi i Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierëve.
Programi i trajnimit synonte forcimin e kapaciteteve të përgjithshme hetimore dhe operacionale të agjencive shqiptare të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Gjatë trajnimit u trajtuan tema të tilla si instrumentet legjislative të BE-së në përgjithësi dhe Platforma Shumëdisiplinore Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) me në qendër rrjetet kriminale me rrezikshmëri të lartë në veçanti, veprimet operacionale që përfshijnë Ballkanin Perëndimor, hetimi financiar dhe penal i rrjeteve të krimit të organizuar transnacional, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknikave speciale të hetimit, si dhe lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar transnacional.
Kjo veprimtari u organizua nga Departamentet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Bashkëpunim për Sigurinë dhe për Qeverisjen për Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore. Ajo u mbajt në kuadër të projekteve të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje zbatimit të ligjit shqiptar për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal” dhe “Veprim i Konsoliduar kundër Korrupsionit në Shqipëri”. Këto projekte synojnë t’i vijnë në ndihmë agjencive ligjzbatuese shqiptare në fuqizimin e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit, mësimin nga praktikat më të mira të organeve simotra evropiane, si dhe mbështetjen e zhvillimit të Policisë së Shtetit dhe reformimit të saj.