Prezenca e OSBE-së prezanton Vlerësimin Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri
Më 26 qershor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një seminar prezantues të gjetjeve të Vlerësimit Bazë për Inspektimin, Hetimin dhe Ndëshkimin e Kundërvajtjeve dhe Krimeve Mjedisore në Shqipëri. Vlerësimi bazë rreth qeverisjes mjedisore, i cili merr në konsideratë analizën e kornizës ligjore, kapaciteteve institucionale dhe ekspertizës teknike, u porosit nga Prezenca dhe realizua gjatë periudhës periudhës tetor 2022 – janar 2023.
Vlerësimi u realizua në bashkëpunimin të ngushtë me institucionet kombëtare, duke përfshirë në këtë proces agjencitë ligjzbatuese e menaxhuese, policinë, prokurorinë, shoqërinë civile, median dhe botën akademike. Falë Vlerësimit u identifikuan 26 rekomandime praktike, të cilat do të mbështesin autoritetet kombëtare në hartimin apo rishikimin e politikave, ligjeve, apo kornizës institucionale mjedisore, me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të zbatimit të legjislacionit mjedisor, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe luftimit të kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore.
Në seminarin prezantues, përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale, diskutuan rreth gjetjeve dhe rekomandimet të Vlerësimit, të parashtruara si mundësi për të forcuar qeverisjen dhe sigurinë mjedisore në Shqipëri. Përveç kësaj, gjatë takimit u hulumtuan hapësirat dhe mjetet e mundshme për adresimin konkret të rekomandimeve dhe masave të identifikuara.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bruce Berton, theksoi se, “OSBE-ja beson fuqimisht se ky projekt do të mbështesë autoritetet për të adresuar në mënyrë adekuate mangësitë ekzistuese në aspektin e kornizës ligjore, kapaciteteve dhe bashkëpunimit përgjatë zinxhirit institucional që merret me shkeljet mjedisore. Vlerësimi bazë do të shërbejë si një udhëzues për punën tonë të përbashkët për të përmirësuar më tej qeverisjen sigurinë dhe mjedisore”.
Zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, nënvizoi rëndësinë e dispozitave të kodit penal për ndëshkimin e duhur të shkeljeve mjedisore. Gjithashtu, Xhembulla theksoi progresin e autoriteteve për sa i përket rishikimit të legjislacionit dhe kapaciteteve të zhvilluara gjatë viteve të fundit duke vlerësuar mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për këtë qëllim.
Ndërsa, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Asistencës, Policia e Shtetit dhe Ambasadat e Italisë dhe Francës në Shqipëri, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional si një reagim efikas ndaj shkeljeve mjedisore.
Vlerësimi bazë u hartua në kuadrin e një projekti të Prezencës së OSBE-së rreth qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri, të financuar nga qeveritë e Norvegjisë, Francës dhe Italisë.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të mbështesë autoritetet kombëtare për të forcuar qeverisjen mjedisore dhe sigurinë në Shqipëri, duke i adresuar rekomandimet dhe masat e identifikuara përmes vlerësimit bazë.
Teksti i plotë i vlerësimit bazë mund të gjendet në seksionin e publikimeve të faqes së internetit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri: https://www.osce.org/sq/presence-in-albania/546518