Prezenca e OSBE-së trajnon policinë shqiptare për çaktivizimin e armëve të zjarrit
Më 8 dhe 9 mars 2023, Prezenca e OSBE-së organizoi një trajnim teknik për tetë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët janë përzgjedhur për t’u përfshirë në proceset e çaktivizimit, kontrollit, verifikimit, markimit dhe certifikimit të armëve të zjarrit.
Trajnimi u bazua manualin “Udhëzuesi operacional për verifikuesit që inspektojnë armët e zjarrit të çaktivizuara”. Manuali u hartua me ndihmën e Prezencës, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e kuadrit ligjor të çaktivizimit, krijimin dhe zbatimin e një mekanizmi funksional për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe rritjen e kapaciteteve të autoriteteve shqiptare në këtë drejtim.
Trajnimi mbuloi të gjitha proceset teknike, përfshirë kontrollin, markimin, certifikimin dhe mbajtjen e të dhënave. Ai u përqendrua në zhvillimet rajonale e ndërkombëtare dhe në praktikat më të mira për çaktivizimin e armëve të zjarrit.
Hartimi i manualit dhe organizimi i trajnimit u zhvilluan si pjesë e projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.
Projekti do ta ndihmojë Policinë e Shtetit edhe për të përmirësuar mjediset e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik, do të blejë pajisjet e nevojshme për çaktivizimin e armëve të zjarrit, si edhe do të rrisë kapacitetet e personelit.