Mbështetja për integrim gjinor në policinë shqiptare, përmes projektit të OSBE-së për armët e vogla dhe të lehta
Është Dita Ndërkombëtare e Grave 2023 – një ditë për të reflektuar për arritjet në integrimin gjinor dhe për rolin e normave kulturore dhe të standardeve shoqërore në mbështetje të grave. Sot po fokusohemi te përfshirja e grave në radhët e policisë, gjë që shpesh nuk konsiderohet punë e letë dhe e përshtatshme për gratë.
Pavarësisht sfidave, në policinë shqiptare ka shumë gra të guximshme që mbajnë pozicione të rëndësishme dhe kontribuojnë në sigurinë dhe paqen e vendit.
Dy nga këto gra janë Orjola Lika dhe Vojsava Çopani. Ato janë pjesë e administratës së Policisë së Shtetit dhe një nga detyrat e tyre lidhet me projektin e OSBE-së “Ndihma për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për të ulur rrezikun e përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).” Projekti zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe është pjesë e ndihmës së saj për Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Perspektivat e të qenit grua në Policinë e Shtetit
Orjola ka punuar për shtatë vjet në Departamentin e Financave të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Kohët e fundit ajo është emëruar pranë Njësisë së Çaktivizimit në Policinë e Shtetit. Përmes Qendrës së Çaktivizimit, njësia realizon një numër procesesh teknike, përfshirë verifikimin, markimin, certifikimin dhe mbajtjen e regjistrave për armët që çaktivizohen. Aktualisht, në kuadrin e Projektit për AVL-të, po punohet për rinovimin e qendrës, blerjen e pajisjeve të nevojshme për çaktivizimin e armëve dhe krijimin e kapaciteteve të certifikuara për personelin e çaktivizimit.
Kur sjell ndër mend ditën që iu bashkua Policisë së Shtetit, sytë e Orjolës mbushen me lot. “Doja të ndiqja rrugën e babait tim, i cili ishte oficer policie dhe humbi jetën në krye të detyrës. Si bijë e një oficeri policie, gjithmonë ëndërroja të ecja në rrugën e tij”.
Kur Vojsava u fut në radhët e Policisë së Shtetit, pesë vjet më parë, ishte paksa e pasigurt për rrugën e saj, pavarësisht se kishte qenë studente e shkëlqyer në universitet. Ajo u bë pjesë e strukturave të policisë përmes programit të ekselencës. Mban mend se gjatë ditëve dhe muajve të parë të punës, kokën e kishte plot me pikëpyetje që lidheshin me zgjedhjen që kishte bërë, veçanërisht kur shihte se mjedisi mbizotërohej nga meshkujt. “Edhe pse punësimi i grave në forcën policore tani pranohet dhe vlerësohet shumë më tepër se në të shkuarën, ende vazhdon të konsiderohet si punë për burra, veçanërisht nga ata që janë jashtë policisë, përfshirë familjen dhe miqtë e mi. Unë besoj se gratë i kanë me shumicë cilësi të tilla si drejtimi, menaxhimi, qasja pozitive dhe angazhimi aktiv, çka do të çojë në rritjen e ndikimit dhe përmirësimin e perceptimit për policinë në komunitet, duke garantuar siguri dhe qetësi për qytetarët,” shton Vojsava.
Orjola është e të njëjtit mendim: “Është bërë shumë për të rritur numrin e grave në polici, por duhet bërë shumë më tepër. Jo vetëm për statistika, por, ç’është më e rëndësishmja, për shtimin e numrit të grave në poste kyçe si drejtuese dhe menaxhere”.
Rëndësia e integrimit gjinor
Policia e Shtetit Shqiptar ka vendosur një kuotë gjinore prej 50% në politikën e saj të rekrutimit dhe ka filluar një fushatë për punësimin e më shumë grave dhe vajzave për të zgjeruar pjesëmarrjen e tyre në forcën policore. Me gjithë rëndësinë e këtyre masave, ka ende shumë për të bërë në praktikë.
Disa nga njësitë e Policisë së Shtetit të përfshira në projektin për AVL-të që mbështetet nga OSBE-ja, si Instituti i Qenve të Policisë dhe Njësia e Çaktivizimit, po ndeshin sfida të mëdha për integrimin gjinor dhe përfshirjen e grave në radhët e tyre. Projekti i OSBE-së po ndihmon në përmirësimin e gjendjes në këtë drejtim.
“Si pjesë e projektit, kemi hartuar strategjinë e integrimit gjinor për të kontribuar drejtpërdrejt për barazinë gjinore në fushën e kontrollit të armëve, për të ndihmuar institucionet përmes realizimit të aktiviteteve të projektit për integrimin gjinor në mënyrë proaktive”, thotë Xhenis Ballco, zyrtarja e Projektit për AVL-të në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
Në rrugën e integrimit gjinor
Zhvillimi i strategjisë së integrimit gjinor në kuadrin e projektit për AVL-të është bërë në konsultim dhe bashkërendim të ngushtë me autoritetet përkatëse në Shqipëri, që punojnë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta. Këtu përfshihen Policia e Shtetit, Komisioni për AVL-të, Ministria e Brendshme dhe Grupi i Punës i Projektit për AVL-të.
Çdo aktivitet i strategjisë për integrimin gjinor është konceptuar për të përmirësuar aftësitë e autoriteteve vendase për përfshirjen e këndvështrimit gjinor në politikat shtetërore për kontrollin e AVL-ve, zbatimin dhe vendimmarrjen lidhur me to. Gjithashtu, të gjitha aktivitetet e projektit, siç janë kurset e trajnimit, procedurat standarde të funksionimit, planet dhe dokumentet e tjera, si dhe infrastruktura do të respektojnë aspektet gjinore. Së bashku me partnerët e projektit, do të hartohen dhe diskutohen rekomandime të tjera për aktivitete të mëtejshme lidhur me integrimin gjinor.
“U ndjeva e privilegjuar dhe e motivuar që u përfshiva në procesin e hartimit të strategjisë së integrimit gjinor”, thotë Vojsava. “Pata mundësinë të shpreh sfidat që kam ndeshur si grua në polici, bashkë me idetë dhe propozimet e mia se si mund të fuqizohet më tej roli ynë brenda forcave të policisë dhe në shoqëri”.
Veprimtaritë e organizuara për hartimin e strategjisë u janë paraqitur palëve të ndryshme të interesit në Policinë e Shtetit. Ata kanë mirëpritur gjetjet dhe kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për t'u angazhuar në zbatimin e projektit dhe të strategjisë së tij.
“Është ende shpejt për të folur për ndikimin, por jemi vërtet të inkurajuar nga zhvillimet pozitive që shohim në disa njësi të forcës policore,” thotë Xhenis. “Jemi shumë të kënaqur që Orjola është emëruar në njësinë e çaktivizimit. Ajo është një mbështetje e shkëlqyer në çështjet administrative dhe sjell një këndvështrim të ndryshëm në punën e njësisë”.
Projekti i OSBE-së për AVL-të financohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës.