Gjetjet e vlerësimit bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore në Shqipëri diskutohen në takimin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së
Përfaqësues të institucioneve kombëtare përgjegjëse për inspektimin mjedisor, zbatimin e ligjit dhe ndjekjen penale u mblodhën në një takim konsultues, më 2 shkurt 2023. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ka ndërmarrë kryerjen e një vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin, dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet kombëtare.
Në takim u paraqitën dhe u diskutuan gjetjet paraprake të vlerësimit bazë. Përfundimet dhe kontributi i dhënë nga institucionet, gjatë këtij takimi, do të përpunohen nga ekspertët e kontraktuar nga Prezenca e OSBE-së dhe do të përfshihen në vlerësimin bazë përfundimtar, që do t’u dorëzohet institucioneve.
“Shkeljet mjedisore mbartin një kërcënim të madh kundrejt ekonomisë, natyrës e zhvillimit të turizmit dhe janë të ndërlikuara për t’u adresuar në aspektin ligjor, ndërinstitucional dhe teknik”, tha Aleksandar Maskovic, drejtues i Departamentit të Prezencës për Qeverisjen, Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore.
Anila Leka, prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme tha: “Shkeljet mjedisore duhen parë në kompleksitetin e tyre, si në aspektin administrativ dhe mandej në atë penal. Duhet të jemi të qartë se kriminalizimi i shkeljeve duhet të vijë vetëm si zgjidhje e fundit, pasi kjo shoqërohet me kosto”.
Josif Shtëmbari nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha: “Shkeljet mjedisore janë kthyer në një prioritet të Policisë së Shtetit dhe kjo vihet re edhe nga rritja e numrit të rasteve të konstatuara dhe referuara në prokurori”.
Takimi shërbeu si platformë për aktorët institucionalë për t’u mbledhur e diskutuar se si të punojnë në mënyrë më bashkëpunuese dhe efektive për çështjet mjedisore, duke nisur nga kuadri ligjor dhe institucional te kapacitetet, infrastruktura dhe më gjerë.
Veprimtaria u organizua si pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe i sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të qeverive franceze dhe norvegjeze.