Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallin fituesit e konkursit për ankesat kushtetuese individuale
Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese shpallën sot fituesit e konkursit për hartimin ligjor të ankesave kushtetuese individuale.
Në konkursin e organizuar nga Prezenca e OSBE-së dhe Gjykata Kushtetuese morën pjesë 27 studentë të drejtësisë nga universitete publike dhe shtetërore nga mbarë Shqipëria. Punimet e tyre u vlerësuan nga një komision i përbërë nga ish-gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese.
Çmimet për fituesit u dhanë në një ceremoni, ku morën pjesë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Guido De Sanctis, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha dhe ish-anëtari i Gjykatës Përparim Kalo.
Gjatë këtij viti, Prezenca zhvilloi trajnime për hartimin e ankesave kushtetuese individuale me 200 studentë të universiteteve publike të Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës.
Projekti u mbështet në kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të bërë të njohur mekanizmin e ankesave kushtetuese individuale dhe për të trajtuar çështjet e cilësisë së dobët apo papranueshmërisë së ankesave.
Reforma kushtetuese në drejtësi e vitit 2016, zgjeroi rrethin e subjekteve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të ankimit kushtetues individual, duke mundësuar ankimet e individëve kundër çdo lloj akti të pushtetit publik që shkel të drejtat dhe liritë e tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.