Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet vizitën në Slloveni të gazetarëve që raportojnë për çështjet parlamentare
Njëmbëdhjetë gazetarë që mbulojnë Kuvendin nga media të ndryshme në Shqipëri dhe punonjës të Shërbimit të Komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë udhëtuan në Lubjanë, nga 27 deri më 29 tetor 2022, për të shkëmbyer përvojë me homologët sllovenë dhe për t’u njohur me praktikat e tyre më të mira. Vizita u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri me synimin për të mbështetur gazetarët në përmirësimin e cilësisë së punës së tyre, si dhe për ta afruar parlamentin me qytetarët. Të tilla vizita u zhvilluan edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Austri, gjatë muajve prill dhe shtator.
Në Slloveni, pjesëmarrësit vizituan mjediset e parlamentit dhe u takuan me Sekretaren e Përgjithshme të parlamentit slloven dhe me drejtuesen e departamentit të komunikimit. Diskutimet u përqendruan te bashkëpunimi me median, raportimi parlamentar dhe afrimi te qytetarët përmes medias. Zyrtarët sllovenë iu përgjigjën pyetjeve për funksionet e parlamentit të Sllovenisë, punën e komisioneve parlamentare dhe marrëdhëniet e tyre me median.
Gazetarët shqiptarë u takuan edhe me përfaqësues të kanalit televiziv publik slloven kushtuar çështjeve parlamentare, me përfaqësues të Shoqatës Sllovene të Gazetarëve dhe të Agjencisë Sllovene të Shtypit. Ata u njohën me funksionimin e këtyre strukturave, situatën e medias dhe marrëdhëniet e medias me parlamentin, qeverinë dhe subjektet politike.
Në fund të takimeve, gazetarët diskutuan me stafin e Kuvendit dhe të Prezencës së OSBE-së për përvojën e fituar nga vizitat në të tria parlamentet. Ata propozuan organizimin e takimeve periodike për t’u njohur më në detaje me çështjet parlamentare dhe e ftuan Prezencën të vijojë të japë mbështetjen e saj.
Vizita u organizua si pjesë e projektit “Mbështetje për parlamentin dhe edukimin qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.