Prezenca e OSBE-së nis projektin për forcimin e kapaciteteve trajnuese në Shqipëri kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi sot projektin e saj më të ri për përmirësimin e kapaciteteve trajnuese të Shkollës së Magjistraturës dhe të Akademisë së Sigurisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Projekti, i cili financohet nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Norvegjisë dhe Italisë, synon të mbështesë institucionet shqiptare të ofrojnë programe trajnimi të rregullta, të specializuara dhe të qëndrueshme për njësitë ligjzbatuese përkatëse sipas sektorëve, si edhe për gjyqtarët dhe prokurorët, duke mundësuar identifikim dhe mbështetjen e duhur për viktimat, si edhe zbatimin e njëjësuar të ligjit në varësi të nivelit të rëndesës së veprës penale.
“Ky projekt vjen në një moment thelbësor për sistemin shqiptar të drejtësisë penale. Me ardhjen e brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë penale dhe të personelit të zbatimit të ligjit, është shumë e rëndësishme që ata jo vetëm të trajnohen për këtë fushë, por edhe që të kenë burime institucionale për të qenë të përditësuar me ndryshimet ligjore dhe me praktikat e mira,” tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo del Monaco, në hapje të veprimtarisë.
Ai vuri në dukje arritjet në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, sa i përket fuqizimit të legjislacionit, krijimit të planeve të veprimit, zhvillimit të kapaciteteve të profesionistëve dhe rritjes së ndërgjegjësimi. Del Monaco shtoi se duhet bërë edhe më shumë, me përkushtimin e institucioneve ligjzbatuese, sociale dhe gjyqësore, si edhe të komunitetit ndërkombëtar. “Asnjë shtet nuk gëzon imunitet nga trafikimi i qenieve njerëzore, sidoqoftë është e mundur të bëhen hapa për të parandaluar dhe kufizuar këtë krim”, tha ai.
Në hapjen e projektit folën edhe zëvendësambasadori amerikan Demian Smith, zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, rektori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro dhe drejtori i departamentit të OSBE-së në Ministrinë e Jashtme Italiane Mario Bartoli.
Së shpejti, Prezenca e OSBE-së do të mbështesë institucionet shqiptare, veçanërisht Ministrinë e Brendshme, të ndërmarrin një analizë të burimeve dhe të vullnetit politik të nevojshëm - qofshin këto burime financiare, njerëzore, materiale, apo politike – në mënyrë që organet ligjzbatuese, të ndjekjes penale dhe gjyqësore të kryejnë detyrat e tyre kundër trafikimit të qenieve njerëzore.