Prezenca e OSBE-së organizon vizitë pune për institucionet shqiptare, në Kroaci, lidhur me personat e zhdukur gjatë regjimit komunist
Përvoja e gjerë e Kroacisë në hetimin dhe gjykimin e rasteve të zhdukjeve me forcë mund t’i ndihmojë autoritetet shqiptare në çuarjen përpara të punës për identifikimin dhe gjetjen e eshtrave të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist.
Me këtë qëllim, nga 21 deri më 23 shtator 2022, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi një vizitë studimore në Kroaci për përfaqësues të institucioneve kryesore në këtë fushë, si Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Policia Shkencore.
Programi përfshinte një vizitë në Ministrinë për Çështjen e Veteranëve dhe në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe të Kriminologjisë të Kroacisë. Duke folur në takimin e organizuar në ministri, zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështjet e Veteranëve, Tomo Medved, ofroi mbështetjen e pakursyer të institucionit të tij për autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre për të bërë progres në identifikimin dhe gjetjen e eshtrave të të zhdukurve. Zyrtarë të kësaj ministrie e njohën delegacionin shqiptar me modelin kroat të kërkimit të personave të zhdukur, ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Zagrebit dhe të Arkivave Shtetërore folën për rolin e tyre në procesin e kërkimit. Vizita u shërbeu ekspertëve shqiptarë, përfshi atyre të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të Policisë Shkencore, edhe për të krijuar lidhje me homologët kroatë për bashkëpunim të ardhshëm në çështjen e kërkimit të personave të zhdukur.
Vizita u financua nga Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) dhe u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë për Çështjen e Veteranëve të Kroacisë, KAS-in dhe Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.