Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet mbajtjen e seminarit për shkëmbimin e përvojave të gazetarëve që mbulojnë veprimtarinë parlamentare dhe të ekipit të komunikimit të Kuvendit në Vjenë
Nga data 1 deri më 3 shtator, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështeti organizimin e një seminari për shkëmbimin e përvojave në Vjenë për gazetarët që mbulojnë veprimtarinë parlamentare në Shqipëri. Delegacioni përbëhej prej rreth një duzine gazetarësh nga media të ndryshme në Shqipëri, si dhe prej përfaqësuesve të Shërbimit të Komunikimit dhe Medias të Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë vizitës së shkëmbimit, grupi i profesionistëve të medias pati mundësinë të takohet me Përfaqësuesen e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, përfaqësues të Departamentit të Komunikimit dhe Deskut të Lajmeve të Parlamenti austriak, si dhe mori pjesë në një seminar për shkëmbimin e përvojave me përfaqësues të klubit austriak të shtypit, Presseclub Conkordia.
Këto takime qenë një mundësi e mirë për gazetarët shqiptarë që të diskutonin me kolegët austriakë sfidat me të cilat përballen në punën e tyre të përditshme. Po ashtu, patën mundësi që të shkëmbejnë përvoja lidhur me praktikat gazetareske dhe mbulimin e lajmeve nga parlamenti në shpërndarjen e informacionit për publikun. Veç kësaj, ata u njohën me punën e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias, roli i të cilit është që të shërbejë si një forum i paralajmërimit të hershëm për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe për mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së në respektimin e angazhimeve të tyre lidhur me lirinë e shprehjes dhe median e lirë.
Takimin e fundit profesionistët e mbajtën me Ambasadoren e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Vjenë. Ambasadorja Eglantina Gjermeni, një ish-deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ndau informacion dhe këndvështrime rreth rolin e Shqipërisë sa i përket çështjeve aktuale të paqes dhe sigurisë, si dhe qëndrimet e vendit në organizatat globale.
Këto takime dhe shkëmbimi i pikëpamjeve dhe praktikave më të mira do të ndihmojnë për forcimin e lidhjeve të Shqipërisë me shtypin evropian dhe homologët ndërqeveritar. Nga ana tjetër, kjo përpjekje do të ndihmojë në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet raportimit dhe përpjekjeve të përmirësuara të gazetarëve që mbulojnë punimet e organit legjislativ dhe komisioneve të tij.
Kjo veprimtari u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili mbështetet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).