Prezenca e OSBE-së organizon Konferencën Ndërkombëtare rreth çështjes së të zhdukurve me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme
“Zhdukjet me forcë dhe në mënyrë të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluarës autoritare, si dhe konteksti bashkëkohor: një vlerësim social, ligjor dhe historik i politikave dhe mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit”, është kjo tema e një konference ndërkombëtare, që po mbahet në Tiranë dhe online në datat 13 deri më 15 dhjetor.
Prezenca e OSBE-së e organizoi këtë veprimtari në bashkëpunim me Qendrën për Drejtësi dhe Transformim të Universitetit të Tiranës, me mbështetjen financiare të qeverisë gjermane. Akademikë, specialistë të fushës dhe politikëbërës, që kanë përjetuar regjime autoritare dhe diktatura, diskutuan në të rreth çështjes së të zhdukurve nga këndvështrimi i drejtësisë tranzitore dhe i transformimit për të nxitur zbatimin e të drejtat e njeriut dhe të shtetit ligjor.
Në fjalën e mbajtur në hapje të veprimtarisë, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri tha: “Deri më sot nuk është zgjidhur me sukses asnjë rast i vetëm i zhdukjeve me forcë. Drejtësia dhe pajtimi qëndrojnë pezull për të afërmit e personave të zhdukur. Faktet tregojnë se të afërmit e të zhdukurve shpesh janë të detyruar që t’i zhvillojnë vetë kërkimet, madje në disa raste janë detyruar që t’i ndërmarrin me forcat e tyre gërmimet e vështira në vende të dyshuara si varreza masive. Duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet shqiptare dhe shoqërinë civile, Prezenca është përfshirë në rritjen e kapaciteteve institucionale, mbështetjen e përpjekjeve legjislative dhe politikëbërëse, si dhe nxitjen e debatit akademik dhe politik lidhur me çështjen e personave të zhdukur në Shqipëri.”
Duke iu drejtuar konferencës përmes internetit, ministri i drejtësisë Ulsi Manja tha se çështja të zhdukurve me forcë duhet trajtuar me kujdesin dhe seriozitetin më maksimal. Ai u ndal në hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje përgjatë viteve, duke theksuar vënien në funksionim të një baze të dhënash të përbashkët rreth të zhdukurve. Baza e të dhënave do të mundësojë mbledhjen e një informacioni sa më të saktë e të besueshëm rreth personave të zhdukur.
“Asgjë nuk i përket të kaluarës, gjithçka është e pranishme dhe ka gjasa që të kthehet në të ardhmen tonë”, tha ambasadori gjerman Peter Zingraf, duke cituar fjalët e Fritz Bauer, i cili ishte prokurori publik që ndoqi të parin prej gjyqeve të Aushvicit në vitet 60’ të shekullit të kaluar. “Gjermania e mbështet financiarisht projektin e OSBE-së për drejtësinë tranzitore, sepse jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka përballja madje edhe me anët më të errëta të historisë së Shqipërisë, dhe, ashtu si Fritz Bauer, edhe unë besoj se përballja me të kaluarën është thelbësore për mirëqenien e shoqërisë sot dhe në të ardhmen.
Rreth 6,000 qytetarë shqiptarë u zhdukën gjatë regjimit komunist dhe vendndodhja e tyre nuk dihet as edhe në ditët e sotme. Kjo shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut i prek thellë dhe pareshtur familjet e të zhdukurve. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri qëndron përkrah institucioneve shqiptare në përpjekjet e tyre për identifikimin dhe rikuperimin e trupave të të zhdukurve nga regjimi komunist.