Liria dhe zhvillimi i medias në Shqipëri, në fokus të Forumit VII vjetor për Zhvillimin e Medias, organizuar nga Prezenca e OSBE-së Shqipëri
Prezenca e OSBE-së organizoi, sot, për të shtatin vit radhazi, Forumin vjetor për Zhvillimin e Medias, një platformë dialogu kjo mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile. Forumi i këtij viti u përqendrua në çështje të lidhura me lirinë dhe zhvillimin e medias në Shqipëri.
“Jam i lumtur të theksoj angazhimin tonë për çështjen e lirisë së medias në Shqipëri, pasi e kemi shpallur këtë fushë pune përparësi të Prezencës sonë. Nxisim partneritetet pozitive dhe përdorimin e praktikave më të mira ndërkombëtare. Media, shoqëria dhe shteti duhet të angazhohen me njëri-tjetrin në një frymë konstruktive”, tha në hapje të takimit Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco.
Në hapje të takimit folën edhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkow dhe Drejtori i Zyrës së Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Jürgen Heissel.
Seanca e parë e Forumit iu kushtua sfidave kryesore të lirisë dhe të zhvillimit të medias me të cilat u përball Shqipëria gjatë vitit të fundit. Diskutimet, më pas, u përqendruan te rëndësia e gazetarisë hulumtuese dhe verifikimi i fakteve si një mjet për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar gazetarinë profesionale.
Gjatë Forumit u mbajt një ceremoni e veçantë për shpalljen e fituesve të konkursit të OSBE-së për gazetarinë investigative në fushën e antikorrupsionit. Ata janë:
- Anila Hoxhaj, për artikullin “Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor”;
- Entela Bajramaj, për dokumentarin “Zhvatje përmes kredisë”; dhe
- Ferdinand Dervishi, për artikullin “Truket shtetërore që po zhvatin perlat e bregdetit”.
Po gjatë Forumit, Radio Televizioni publik Shqiptar (RTSH) dhe Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit i Universitetit të Tiranës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për vazhdimin e praktikës së studentëve të gazetarisë pranë RTSH.