Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndihmon RTSH-në për ngritjen e Akademisë së Trajnimit për gazetarët e rinj
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.
Në datat 7-9 shtator 2021, Prezenca trajnoi shtatë gazetarë dhe redaktorë të mirënjohur të RTSH-së, të cilët do të jenë trajnuesit e ardhshëm të kësaj qendre trajnimesh. Kjo veprimtari u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Trajnimit të Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU).
Ky kurs trajnimi për trajnuesit u konceptua dhe realizua nga menaxheri i trajnimeve të EBU-së, Frederic Frantz. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit përfituan aftësi mësimdhënëse dhe metoda për përcjelljen e njohurive të reja, të cilat do t’i bëjnë ata të aftë që të zhvillojnë trajnime të suksesshme me punonjësit e RTSH-së në përgjithësi dhe gazetarët e rinj të transmetuesit publik në veçanti.
Bledar Zaganjori, Drejtori i Lajmeve dhe Aktualitetit në RTSH theksoi se: “kurset e trajnimit të mbajtura kohët së fundmi rreth gazetarisë e lëvizshme me telefon dhe atë konstruktive ishin tepër të nevojshme dhe u mirëpritën. Ai shtoi se pas një viti trajnimesh online, ata do të dëshironin që trajnimet të organizoheshin me prani fizike, ku gazetarët dhe personeli teknik të kishin mundësinë të zhvillonin punë praktike gjatë trajnimeve.
Veç kësaj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ndihmon transmetuesin publik në hartimin e planeve afatshkurtra dhe afatmesme të trajnimit të personelit të tij. Më 10 shtator, Prezenca mundësoi organizimin e një tryeze diskutimi me drejtuesit e lartë të RTSH-së për zhvillimin e një strategjie trajnimesh dhe planin e trajnimit për dy vitet e ardhshme.
Strategjia në fjalë do t’i hapë udhë ngritjes së një Akademie Trajnimesh funksionale dhe efikase për RTSH-në. Prezenca e ka pajisur transmetuesin publik me pajisje teknike, si për shembull kamera, programe montazhi, sete ndriçimi, mikrofona dhe tripodë që do të përdoren për përgatitjen e programeve të reja dhe qëllime trajnimi.
Asistenca e ofruar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri është pjesë e programit dyvjeçar të rritjes së kapaciteteve profesionale për RTSH-në, organizuar në bashkëpunim të ngushtë me EBU-në në kuadër të projektit “Media në Fokus”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian (BE). Ky projekt ka si qëllim kryesor fuqizimin e RTSH-së përmes rritjes së kapaciteteve të gazetarëve dhe ndihmës për prodhimin e programeve kryesore të reja.