Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim ndërkufitar kundër ekstremizmit të dhunshëm
Më 5 korrik 2021, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi, në Pogradec, një takim ndërkufitar të zyrtarëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për të diskutuar për bashkëpunimin kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Në takimin e organizuar së bashku me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm morën pjesë koordinatorët kundër ekstremizmit të dhunshëm të të dyja vendeve, përfaqësues të pushtetit vendor, policisë, komuniteteve fetare, si edhe punonjës të Misionit të OSBE-së në Shkup dhe të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, përfshirë zëvendëskryetaren e Prezencës.
Pjesëmarrësit diskutuan për nivelin e tanishëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e ekstremizmit të dhunshëm dhe për të mirat që sjell trajtimi shuminstitucional i tij, me angazhimin aktiv e të rinjve dhe të grave. Po ashtu, ata folën për sfidat kryesore në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe shkëmbyen përvojën për riintegrimin e qytetarëve të riatdhesuar nga zonat e konfliktit.
Partneriteti me Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm është pjesë e punës së Prezencës së OSBE-së për përmirësimin e përgjigjes shuminstitucionale ndaj çështjeve të sigurisë, përfshirën ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizimin. Prezenca dhe Qendra do të vijojnë të sinkronizojnë veprimtaritë e aktorëve qendrorë dhe vendorë, përmes një sërë takimesh në mbarë Shqipërinë, me pjesëmarrjen aktive të profesionistëve të vendeve fqinje.