Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxitin të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) organizuan një sërë veprimtarish të përqendruara te zgjedhësit e rinj, me synimin për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje, me rastin e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, më 4 shkurt 2021.
Prezenca dhe KQZ-ja i ftuan të rinjtë nga mbarë vendi të krijonin video dhe slogane për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit dhe dhanë çmime për katër fitues, në një ceremoni të drejtuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe Kryetari i Prezencës, Vincenzo Del Monaco.
Fituesit bashkëbiseduan me Del Monaco-n dhe Celibashin për rritjen e rolit të të rinjve në proceset demokratike, për rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje dhe për ndikimin që të rinjtë mund të sjellin në jetën politike të vendit.
“Angazhimi i të rinjve në proceset demokratike është një përbërës i rëndësishëm i punës së Prezencës së OSBE-së. Të rinjtë duhet të shkojnë të votojnë ditën e zgjedhjeve, të bëhen pjesë e procesit. Ju keni një rol të fortë në të ardhmen e vendit, bëjeni zërin tuaj të dëgjohet”, tha ambasadori Del Monaco gjatë bisedës me të rinjtë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha: “Përfshirja e të rinjve përmes konkursit për videon, grafikën dhe sloganin më të mirë për zgjedhjet në celebrimet e Ditës Botërore të Zgjedhjeve, ishte një rast i mirë për të përcjellë mesazhe për angazhimin e të rinjve në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen në votime”.
Celibashi dhe Del Monaco e shfrytëzuan mundësinë për t’i nxitur të gjithë zgjedhësit të kontrollojnë emrat në listën e zgjedhësve dhe të kenë një dokument të vlefshëm identifikimi që të mund të votojnë më 25 prill.
Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, Prezenca i dhuroi KQZ-së 700 kopje të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e fundit, të botuara nga ajo, për të ndihmuar komisionerët në organizimin e këtyre zgjedhjeve.
Prezenca e OSBE-së mbetet një mbështetëse dhe partnere e fortë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e të gjitha institucioneve përkatëse shqiptare në organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve, në përputhje me kornizën ligjore vendase dhe angazhimet në kuadrin e OSBE-së.